Bota

Gjykata e Koresë së Jugut hedh poshtë padinë kundër Japonisë

Gjykata e Seulit citon imunitetin sovran në vendimin mbi skllavërinë seksuale të Luftës së Dytë Botërore ndërsa viktimat i kërkojnë qeverisë të çojë çështjen në GJND

Islam Uddin  | 21.04.2021 - Përdıtësım : 21.04.2021
Gjykata e Koresë së Jugut hedh poshtë padinë kundër Japonisë

Ankara

Një gjykatë e Koresë së Jugut hodhi poshtë procesin gjyqësor të paraqitur nga viktimat e luftës kundër qeverisë japoneze, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në vendimin e saj mbi çështjen e grave të detyruara të punojnë si skllave seksi gjatë Luftës së Dytë Botërore, Gjykata Qendrore e Qarkut në Seul citoi imunitetin sovran, një koncept në të drejtën ndërkombëtare që lejon imunitetin e shteteve nga paditë civile në gjykatat e huaja, njoftoi agjencia e lajmeve Yonhap.

"Kur ne njohim përjashtimet e imunitetit sovran, përplasjet diplomatike do të pasojnë në mënyrë të pashmangshme", citoi agjencia vendimin e gjykatës.

Gjykata citoi gjithashtu marrëveshjen bilaterale të vitit 2015 midis Seulit dhe Tokios për të zgjidhur mosmarrëveshjen. Ajo tha se marrëveshja "u arrit pasi dëgjoi mendimet e viktimave".

"Viktimat vuajtën jashtëzakonisht shumë dhe përpjekjet dhe rezultatet nga qeveritë e Koresë së Jugut duket se nuk ishin të mjaftueshme për t'i ndihmuar ata të rikuperohen nga vuajtjet e tyre", tha gjykata duke shtuar se çështja duhet të zgjidhet përmes përpjekjeve "diplomatike".

Më herët në janar, e njëjta gjykatë vendosi në favor të viktimave në një rast tjetër dhe urdhëroi Tokion që të paguante 100 milionë juan (91.300 dollarë) për secilën nga 12 gratë që ishin rrëmbyer dhe mbajtur në bordellot japoneze gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vendimi u refuzua nga Japonia.

Megjithatë, vendimi u bë nga një panel tjetër gjyqtarësh.

Viktimat shprehën shqetësimin e tyre lidhur me vendimin dhe i kërkuan qeverisë ta çonte çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).

"Unë kam qenë duke punuar për të gjitha viktimat, jo vetëm për vete. Shpresoj se ju e dini këtë", citoi agjencia e lajmeve Yonhap, 92-vjeçaren Lee Yong-soo, duke u thënë gazetarëve para gjykatës.

Vetëm 15 viktima të mbijetuara janë regjistruar aktualisht në Qeverinë e Koresë së Jugut, kryesisht në të 80-at dhe 90-at e tyre.

Marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve mbetën në nivelin më të ulët historik gjatë vitit të kaluar pasi gjykata urdhëroi kompanitë japoneze të kompensojnë viktimat e punës së detyruar gjatë sundimit kolonial të Japonisë.

Vendimi u refuzua nga Tokio, e cila pohon se të gjitha pretendimet që lidhen me sundimin e saj 35-vjeçar mbi Gadishullin Korean u zgjidhën sipas një marrëveshjeje dypalëshe të vitit 1965.

Çështja e "grave të komoditetit", sipas Japonisë, u zgjidh përmes marrëveshjes së vitit 2015 me Seulin, sipas së cilës Tokio pagoi 9.1 milionë dollarë për krijimin e një fondacioni kushtuar mbështetjes së viktimave të skllavërisë seksuale gjatë luftës.

Koreja e Jugut, megjithatë, shpërbëri fondacionin vitin e kaluar, me administratën e presidentit Moon Jae-in duke thënë se marrëveshja e nënshkruar gjatë qëndrimit të paraardhësit të tij Park Geun-hye kishte "të meta serioze".

Ky veprim zemëroi Tokion, e cila e sheh marrëveshjen si "përfundimtare dhe të pakthyeshme".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.