Gjuriq: Lidhshmëria, fokusi kryesor i kryesimit serb të Nismës së Evropës Qendrore
"Lidhshmëria në të gjitha dimensionet ka qenë thelbi i përpjekjeve tona. Forcimi i këtyre fushave mbetet mënyra më efikase për rritje, konkurrencë më të madhe dhe afrimin e qytetarëve", tha Gjuriq
Sarajevë
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, në hapjen e takimit të ministrave të Jashtëm të Nismës së Evropës Qendrore (CEI) në Beograd, ka deklaruar se gjatë 1-vjeçarit të kryesimit serb, fokusi i të gjitha aktiviteteve ka qenë forcimi i lidhshmërisë mes vendeve anëtare, raporton Anadolu.
Serbia në këtë takim i dorëzon kryesimin Rumanisë ndërsa Gjuriq tha se kjo ndodh në një moment të shënuar nga paqëndrueshmëri globale dhe çështje kontestuese që kërcënojnë unitetin e vendeve. Pavarësisht sfidave, theksoi ai, qëllimet e nismës CEI kanë mbetur të qarta.
"Lidhshmëria në të gjitha dimensionet, në ato infrastrukturore, energjetike, digjitale dhe mjedisore, ka qenë thelbi i përpjekjeve tona. Forcimi i këtyre fushave mbetet mënyra më efikase për rritje, konkurrencë më të madhe dhe afrimin e qytetarëve", tha Gjuriq.
Si shembull të progresit, ai përmendi nismat për përmirësimin e projekteve ndërkufitare, përfshirë revitalizimin e korridorit hekurudhor Trieste-Lubjanë-Zagreb-Beograd. Sipas tij, ky është një projekt që tregon se vizionet e përbashkëta mund të bëhen realitet kur prioritetet harmonizohen.
Shtylla tjetër e kryesimit serb ishin inovacionet, të cilat, siç theksoi Gjuriq, mundësojnë përshtatjen me trendet globale dhe nxisin zgjidhje inteligjente. Gjatë vitit të kaluar, CEI ka punuar për forcimin e kërkimeve shkencore, transformimin digjital dhe hapjen e mundësive të reja për të rinjtë.
"Këto janë investime në prosperitetin afatgjatë të shoqërive tona", shtoi ai.
Shefi i diplomacisë serbe foli edhe për integrimet evropiane, duke theksuar se ato mbeten qëllim strategjik i të gjitha vendeve anëtare të nismës CEI. Serbia, tha ai, vazhdon rrugën e saj evropiane.
Gjuriq thotë se forcimi i integrimeve kontribuon në stabilitetin e rajonit dhe hap mundësi të reja për bashkëpunim dhe zhvillim. Ai tha se fuqia e nismës CEI shprehet në aftësinë për të kthyer aspiratat e përbashkëta në projekte konkrete.
"Pavarësisht sfidave politike dhe ekonomike, uniteti, dialogu dhe mbështetja e ndërsjellë mbeten rruga më e mirë përpara", u shpreh ministri Gjuriq.
Në fund, ai falënderoi pjesëmarrësit dhe tha se Serbia po dorëzon presidencën me bindjen se rezultatet e arritura do të përmirësohen më tej vitin e ardhshëm.
