Bota, Sport

Gjokoviç përballet me deportim pasi Australia revokoi sërish vizën e tij

Ministri i Emigracionit, Alex Hawke, sot tha se ai përdori diskrecionin e tij ministror për t'i hequr vizën serbit 34-vjeçar për arsye të interesit publik, tre ditë përpara fillimit të turneut Australian Open

Ekip   | 14.01.2022
Gjokoviç përballet me deportim pasi Australia revokoi sërish vizën e tij

Melburn

Ylli i tenisit Novak Gjokoviç po përballet sërish me deportim pasi qeveria australiane ia hoqi vizën për herë të dytë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Emigracionit, Alex Hawke, sot tha se ai përdori diskrecionin e tij ministror për t'i hequr vizën serbit 34-vjeçar për arsye të interesit publik, tre ditë përpara fillimit të turneut Australian Open.

Pritet që avokatët e Gjokoviçit të apelojnë anulimin në Gjykatën Federale të Qarkut dhe Familjes, siç vepruan me sukses pas anulimit të parë.

Ministri Hawke tha se ai e anuloi vizën për "arsye shëndetësore dhe rregullit duke u bazuar se kjo është në interesin publik".

"Qeveria Morrison është e vendosur në mënyrë bindëse për të mbrojtur kufijtë e Australisë, veçanërisht në lidhje me pandeminë COVID-19", tha Hawke, duke iu referuar kryeministrit Scott Morrison.

Morrison përshëndeti deportimin e Gjokoviçit, duke theksuar se Australia ka arritur normat më të ulëta të vdekjeve nga pandemia ndër vendet me ekonomitë më të forta në botë, si dhe normat më të larta të vaksinimit.

"Australianët kanë bërë sakrifica të shumta gjatë kësaj pandemie dhe ata me të drejtë presin mbrojtjen e këtij rezultati të sakrificave", tha Morrison në një deklaratë. “Kjo është ajo që po bën ministri duke ndërmarrë këtë veprim sot".

Deportimet zakonisht pasohen me një ndalim tre-vjeçar për t'u kthyer në Australi.

Kjo është hera e dytë që Gjokoviçit i anulohet viza që kur mbërriti në Melburn javën e kaluar për të mbrojtur titullin e tij në Australian Open.

Përjashtimi i tij nga kërkesa e vaksinimit kundër COVID-19 për të marrë pjesë u miratua nga qeveria e shtetit Victoria dhe Tennis Australia, organizatori i turneut. Kjo me sa duket i lejoi atij të merrte vizën e udhëtimit.

Por Forcat Kufitare Australiane refuzuan përjashtimin duke ia anuluar vizën pas mbërritjes në Melburn. Gjokoviç kaloi katër natë në një hotel të paraburgimit të imigracionit përpara se një gjykatës të hënën të anulonte vendimin.

Avokati i imigracionit me bazë në Melburn, Kian Bone, tha se avokatët e Gjokoviçit përballen me një detyrë "jashtëzakonisht të vështirë" për të marrë vendime gjyqësore gjatë fundjavës për të lejuar klientin e tyre të luajë javën e ardhshme.

Avokatët do të duhet të dalin përpara një gjyqtari kujdestar të Gjykatës Federale të Qarkut dhe Familjes ose një gjyqtari më të lartë të Gjykatës Federale për të marrë dy vendime urgjente.

Njëri vendim do të ishte për mos dëbimin e tij, sikur vendimi që mori javën e kaluar. E dyta do të urdhëronte ministrin Hawke që t'i jap Gjokoviçit vizën për të luajtur.

Jacqui Lambie, senatori i pavarur me ndikim, argumentoi se Gjokoviç duhet të dëbohet nëse ka thyer rregullat e vaksinimit të Australisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın