Bota

Gjermania do të dërgojë 5.000 helmeta ushtarake në Ukrainë

Deklarata erdhi pasi Ukraina dhe anëtarët lindorë të NATO-s kritikuan publikisht Gjermaninë për mosshfaqjen e solidaritetit të fortë me Kievin, në vazhdën e shqetësimeve për një aksion të mundshëm ushtarak nga Rusia

Ayhan Şimşek   | 26.01.2022
Gjermania do të dërgojë 5.000 helmeta ushtarake në Ukrainë

Berlin

Gjermania do të dërgojë 5.000 helmeta mbrojtëse ushtarake në Ukrainë, tha një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë shtypi në Berlin, Arne Collatz, zëdhënës i ministrisë, tha se autoritetet gjermane kanë miratuar dërgimin e 5.000 helmetave mbrojtëse ushtarake në vend, pas një kërkese të fundit nga autoritetet ukrainase.

Deklarata erdhi pasi Ukraina dhe anëtarët lindorë të NATO-s kritikuan publikisht Gjermaninë për mosshfaqjen e solidaritetit të fortë me Kievin, në vazhdën e shqetësimeve për një aksion të mundshëm ushtarak nga Rusia.

Ambasadori ukrainas Andrij Melnyk e ka mirëpritur vendimin e Berlinit, por tha se ky përfaqëson vetëm një “gjest simbolik” dhe është shumë më pak se sa mund të ofrojë Gjermania.

“Ukraina pret një ndryshim të vërtetë paradigme nga qeveria gjermane, një ndryshim kursi prej 180 shkallësh”, tha ai për agjencinë gjermane të lajmeve DPA.

Qeveria gjermane deri më tani ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të armëve vdekjeprurëse në Ukrainë, duke vënë theksin mbi politikën kufizuese të vendit për eksportin e armëve, e cila nuk lejon dërgimin e armëve në zonat e konfliktit.

Rusia kohët e fundit ka grumbulluar 100.000 trupa pranë Ukrainës, duke shkaktuar frikën se Kremlini mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër fqinjit të tij ish-sovjetik.

Moska ka mohuar se po përgatitet për pushtim dhe ka thënë se trupat e saj janë atje për stërvitje. Në vend të kësaj, ajo ka lëshuar një listë të kërkesave të sigurisë për NATO-n, duke përfshirë mosanëtarësimin e Ukrainës në NATO, për të qetësuar tensionet ekzistuese.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın