Bota

Gjermania dhe Franca bëjnë thirrje për zgjidhje diplomatike të krizës në Ukrainë

“Çdo agresion ushtarak, shkelje e integritetit territorial të Ukrainës, do të ketë pasoja dhe do të ketë një çmim të lartë për Rusinë. Ne jemi pajtuar për këtë mes aleatëve tanë të NATO-s dhe partnerëve të BE-së”, tha Scholz

Ayhan Şimşek  | 25.01.2022 - Përdıtësım : 26.01.2022
Gjermania dhe Franca bëjnë thirrje për zgjidhje diplomatike të krizës në Ukrainë Foto: AA/Arkiv

Berlin

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, kanë kërkuar që Rusia të ndërmarrë hapa për të ulur tensionet me Ukrainën dhe të mbështesë përpjekjet për një zgjidhje diplomatike të krizës, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne presim hapa të qartë nga Rusia që kontribuojnë në një de-përshkallëzim të situatës”, tha Scholz në një konferencë të përbashkët për media me presidentin Macron përpara takimit të tyre në Berlin.

“Çdo agresion ushtarak, shkelje e integritetit territorial të Ukrainës, do të ketë pasoja dhe do të ketë një çmim të lartë për Rusinë. Ne jemi pajtuar për këtë mes aleatëve tanë të NATO-s dhe partnerëve të BE-së”, tha Scholz.

Kancelari gjerman përjashtoi dorëzimin e armëve vdekjeprurëse në Ukrainë, por theksoi se Gjermania do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të fortë financiare për Ukrainën.

Macron tha se Franca dhe Gjermania ndajnë të njëjtën qasje ndaj Rusisë dhe shtoi se do të vazhdojnë të koordinojnë përpjekjet me aleatët e tyre.

“Ne bëjmë thirrje për ulje të tensioneve dhe po ashtu dua të them se sa të bashkuara janë Gjermania dhe Franca”, tha Macron.

Presidenti francez njoftoi se të premten do të zhvillojë një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit në lidhje me krizën në Ukrainë.

Së fundmi, Rusia grumbulloi dhjetëra mijëra trupa pranë kufirit lindor të Ukrainës, duke shkaktuar frikë se Kremlini mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër fqinjit ish-sovjetik.

Moska ka mohuar se po përgatitet për pushtim dhe ka deklaruar se trupat e saj janë atje për stërvitje.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.