Bota

Gjenevë, vazhdon takimi i udhëhequr nga OKB-ja për zgjidhjen e çështjes së Qipros

Në këto bisedime jozyrtare treditore, shefi i OKB-së synon të arrijë një "gjuhë të përbashkët" për të rifilluar negociatat zyrtare për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme të mosmarrëveshjes së gjatë me dekada

Ekip  | 28.04.2021 - Përdıtësım : 28.04.2021
Gjenevë, vazhdon takimi i udhëhequr nga OKB-ja për zgjidhjen e çështjes së Qipros

Gjenevë

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka filluar bisedimet jozyrtare për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për mosmarrëveshjen e gjatë me dekada mbi Qipron, me pjesëmarrjen e të dy palëve të Qipros dhe vendet garantuese, Turqinë, Greqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Guterres u adresua me një fjalim në hapjen e takimit me dyer të mbyllura që zhvillohet në "Palais des Nations" në Gjenevë, selinë evropiane të OKB-së, në formatin "5+1", respektivisht nën udhëheqjen e OKB-së me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Qiproja Turke, Qiproja Greke dhe tre vendet garantuese.

Më pas, lideri i Qipros Greke, Nicos Anastasiades, filloi adresimin e tij në seancë, ndërsa pas tij do të adresohet presidenti i Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC), Ersin Tatar, kryediplomati turk, Mevlüt Çavuşoğlu, kryediplomati grek, Nikos Dendias dhe sekretari i jashtëm britanik, Dominic Raab.

Bisedimet në Gjenevë mbi çështjen e Qipros filluan dje dhe do të përfundojnë gjatë ditës së nesërme. Në këto bisedime jozyrtare treditore, shefi i OKB-së synon të arrijë një "gjuhë të përbashkët" për të rifilluar negociatat zyrtare për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme të mosmarrëveshjes së gjatë me dekada.

Dje, Guterres zhvilloi takime të ndara me liderët e Qipros Turke dhe Qipros Greke.

Presidenti i TRNC-së takimin e tij me Guterres e quajti "produktiv" dhe tha se pala e tij i përcolli shefit të OKB-së pikëpamjet e saj mbi mosmarrëveshjen.

"Guterres e njeh mirë çështjen e Qipros. Tani ai do të diskutojë çështjen me palën tjetër. Ne do ta diskutojmë çështjen intensivisht nesër dhe një ditë më pas", tha Tatar.

Këto bisedime u pasuan nga një takim midis shefit të OKB-së dhe liderit të Qipros Greke.

Mbrëmë, Guterres organizoi një pritje për krerët e delegacioneve në "Hotel Intercontinental", jo shumë larg selisë evropiane të OKB-së.

Para bisedimeve të ditës së djeshme, zëdhënësi i shefit të OKB-së, Stephane Dujarric, tha se "sekretari i përgjithshëm është realist, kjo është një çështje që ai e njeh mirë dhe më parë ai ka marrë pjesë në diskutime". Ai tha se Guterres vendosi të thërrasë këtë "takim jozyrtar" pas konsultimeve gjatë disa muajve të fundit.

"Siç kemi thënë vazhdimisht, qëllimi i këtij takimi jozyrtar do të jetë për të përcaktuar nëse ekziston një bazë e përbashkët për palët për të negociuar një zgjidhje të qëndrueshme të çështjes së Qipros brenda një horizonti të parashikueshëm", tha Dujarric.

Ishulli i Qipros ka qenë në mosmarrëveshje midis qipriotëve grek dhe atyre turq, pavarësisht disa përpjekjeve diplomatike nga OKB-ja për të arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse.

Ishulli është i ndarë që nga viti 1964, kur sulmet etnike detyruan qipriotët turq të tërhiqen nga enklava për shkak të sigurisë së tyre. Në vitin 1974, një grusht shtet nga qipriotët grek çoi në ndërhyrjen ushtarake të Turqisë si një fuqi garantuese. TRNC-ja u themelua në vitin 1983.

Administrata e Qipros Greke, e mbështetur nga Greqia, në vitin 2004 u bë anëtare e Bashkimit Evropian (BE), megjithëse shumica e qipriotëve grek mohuan një plan të zgjidhjes së OKB-së në një referendum të mbajtur në po të njëjtin vit që parashikonte një Qipro të ribashkuar në BE.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.