Burak Bir
07 Nëntor 2019•Përditësim: 08 Nëntor 2019
Që nga fillimi i operacionit ushtarak në veri të Sirisë, në sulmet e terroristëve të YPG/PKK-së janë martirizuar të paktën 151 ushtarë të Ushtrisë Kombëtare Siriane (SNA) të mbështetur nga Turqia, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas komandantëve të SNA-së në terren, po ashtu 559 ushtarë të SNA-së u plagosën gjatë operacionit “Burimi i Paqes”.
Ushtria turke dhe SNA vazhdojnë operacionet e sigurisë për të mbajtur paqen në rajon. Së fundmi, komandantët e SNA-së rrëzuan një dron të terroristëve të YPG/PKK-së në Tal Abyad.
Pas pauzimit të operacionit, ushtarët e SNA-së kanë qëndruar në vijën e parë të frontit rreth rajoneve veriore siriane, Tal Abyad dhe Ras al-Ayn si dhe kanë asgjësuar pajisjet shpërthyese të improvizuar të vendosura nga terroristët.
Muajin e kaluar, presidenti Recep Tayyip Erdoğan, nderoi ushtarët e SNA-së të cilët po luftojnë kundër regjimit sirian së bashku me ushtarët turq, duke deklaruar se ata janë “muxhahidë që vrasin frikën dhe vdekjen”.
“Ata janë martirizuar me ushtarët tanë përderisa përpiqeshin të shpëtojnë dhe të mbrojnë shtëpitë e tyre. Ky solidaritet na çon në fitore”, tha presidenti Erdoğan.
Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, në fund të muajit të kaluar për AA tha se “ushtarët e SNA-së gjithmonë kanë dhënë një kontribut të fuqishëm në operacionet kundër-terroriste të Turqisë”.
Operacioni “Burimi i Paqes” i filluar më 9 tetor, synon të eliminojë elementet terroriste të YPG/PKK-së në veri të Sirisë në lindje të lumit Eufrat, në mënyrë që të sigurojë kufijtë e Turqisë, të ndihmojë në kthimin e sigurtë të refugjatëve sirianë dhe të garantojë integritetin territorial të Sirisë.
Më 17 tetor, Ankaraja u pajtua me Washingtonin për të pauzuar operacionin e saj që të lejojë tërheqjen e terroristëve të YPG/PKK-së nga zona e sigurtë e planifikuar.
Më 22 tetor, Ankaraja dhe Moska arritën një marrëveshje, sipas së cilës brenda 150 orëve terroristët e YPG/PKK-së të tërhiqen 30 kilometra në jug nga kufiri i Turqisë me Sirinë veriore, ndërsa forcat e sigurisë turke dhe ruse të kryejnë patrullime të përbashkëta atje.
Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë e foshnja. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.