Bota

Fëmijët palestinezë emërohen me emrat e qyteteve të pushtuara për t'i kujtuar ato

Palestinezët filluan të emërtojnë vajzat e tyre me emrat e qyteteve të tyre në përpjekje për t'i mbajtur gjallë në kujtesën e brezave të rinj ato qytete të pushtuara nga Izraeli

Ekip  | 19.02.2020 - Përdıtësım : 20.02.2020
Fëmijët palestinezë emërohen me emrat e qyteteve të pushtuara për t'i kujtuar ato

Gaza

Dashuria e pafund për qytetin Yafa, i humbur te Izraeli gjatë luftës së Lindjes së Mesme në vitin 1948, ka frymëzuar palestinezin Ali Masharqah të emërojë vajzën e tij me emrin e qytetit.

Në vitin 1948, mbi 700 mijë palestinezë me forcë u dëbuan nga tokat e tyre nga bandat hebreje, duke boshatisur pothuajse rreth 400-600 qytete dhe fshatra të tëra.

Që nga ajo kohë, palestinezët filluan të emërojnë vajzat e tyre me emrat e qyteteve të tyre në përpjekje për t'i mbajtur gjallë në kujtesën e brezave të rinj ato qytete të pushtuara nga Izraeli.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Ali Masharqah thekson se, "E gjithë zemra ime është për Yafa-n. Unë e kam për zemër qytetin Yafa, xhamitë, rrugët dhe vendet arkeologjike të tij".

Edhe pse familja Masharqah është nga Hebroni dhe nuk u shpërngul kurrë nga ky qytet, ato njihen për emërimin e vajzave të tyre me emrat e qyteteve të pushtuara.

"Emrat e kushërinjve të mi janë Safad, Karmel dhe Bisan (emra të qyteteve/fshatrave të pushtuara palestineze). Tashmë është një traditë familjare", tha vajza e tij 22-vjeçare, Yafa.

Gjatë rritjes së saj, emri i 22-vjeçares ishte një burim gëzimi, ishte unik dhe gjithmonë i sjellte komplimente asaj.

"Unë sigurohem të tregoj historinë e qytetit dhe të përshkruaj natyrën e tij të bukur edhe para se të tregoj kuptimin e emrit, që është 'zonjë e bukur'", shpjegon Yafa për AA.

- Emrat nga historia

Jawad Abu Harb, një refugjat nga fshati Zarnouqah, vajzën e saj të parë e quajti "Bisan", emër i një qyteti që ndodhet në veri të Palestinës historike, banorët e të cilit u shpërngulën në vitin 1948.

"Bisan është shtëpi për mua. Unë kam tre djem, megjithatë me këmbëngulje u kërkoj njerëzve të më quajnë Abu Bisan", thotë Abu Harb.

Midis arabëve, përfshirë palestinezët, është zakon t'i thërrasësh burrat me emrin e djalit të tyre të parë të lindur.

Duke emëruar vajzën e tij me emrin e qytetit palestinez, Abu Harb thekson se ai dëshiron t'i bëj njerëzit kurioz që të pyesin dhe kërkojnë lidhur me qytetin Bisan dhe qytetet e tjera të pushtuara palestineze nga Izraeli.

Dy vajzat e tij të tjera, Abu Harb i emëroi Seren (fshat brenda qytetit Bisan) dhe Banias (qytet në kufirin Palestinë-Siri).

Përpjekja e Izraelit për të harruar emrat arabë të qyteteve palestineze dhe për t'i zëvendësuar ato me emra hebreje është një tjetër arsye pse Abu Harb këmbënguli t'i emërojë vajzat e tyre me emra arabe të qyteteve.

Me një emër të veçantë për palestinezët, një nga gjërat që Bisan e gëzon më së miri është kur njerëzit e pyesin në internet për kuptimin e emrit. Ajo shfrytëzon mundësinë për t'u prezantuar atyre qytetin verior palestinez të pushtuar nga Izraeli.

"Unë e dua absolutisht emrin tim. Ai ka një dimension historik dhe emocional. Më bën të ndjehem e rrënjosur në Palestinën time të dashur", thekson 28-vjeçarja Bisan.

Ekspozimi i mediave sociale po ashtu ndikoi në zgjedhjen e prindërve për emrat e fëmijëve të tyre. Ajo ndihmoi shumë njerëz që të përvetësojnë idenë.

"Nuk më bën kurrë më pak unike. Unë akoma ndjehem njëjtë edhe 28 vite më vonë", shprehet Bisan.

- Veçantia e emrit

26-vjeçarja Eilabun Elfarra nga qyteti Khan Younis i Rripit të Gazës, së bashku me tre motrat e saj kanë emra shumë të rrallë në komunitetin e tyre.

Sa herë që nëna e Eilabun-it lindi një vajzë, babai i saj merrte një libër me qytetet palestineze dhe zgjidhte një emër për të sapolindurën.

Në tetor të vitit 1948, Izraeli kreu një masakër në Eilabun, një fshat i krishterë në veri të qytetit Yafa.

"Askush tjetër në të gjithë shkollën time nuk u quajt kurrë Eilabun. Edhe sot e kësaj dite, kurrë nuk kam takuar askënd që ka të njëjtin emër si emri im", tha Eilabun.

Eilabun gëzon faktin se emri i saj përdoret për të lehtësuar formalitetet apo procedurat. Zyrtarët dëgjojnë me vëmendje historinë e emrit të saj dhe kalojnë kohën gjatë ditës së punës.

"Palestinezët duhet t'i përmbahen historisë së tyre, veçanërisht gjeneratat e reja që kanë kanë më pak mundësi për të vizituar tokën e pushtuar", thotë Eilabun.

Ajo shpreh gatishmërinë e saj për t'i emëruar vajzat e saj me emrat e qyteteve palestineze dhe theksoi se këtë praktikë do t'ia kalojë familjes së saj në të ardhmen.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.