Lokman İlhan
28 Qershor 2017•Përditësim: 28 Qershor 2017
MESETAS (AA) - LOKMAN İLHAN
Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC) kanë përfunduar procesin e dorëzimit të armëve Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në 26 kampet e formuara për rikthimin e militantëve të tyre në jetën civile dhe ligjore, shkruan Anadolu Agency (AA).
Përmes një ceremonie të organizuar në lokacionin e tubimit të armëve La Guajira në afërsi të qytetit Mesetas në rajonin administrativ Meta në të cilën morën pjesë presidenti i Kolumbisë Juan Manuel Santos, shefi i Misionit të OKB-së në Kolumbi Jean Arnault, lideri i FARC-ut Rodrigo Londono, mysafirë të huaj, ministra dhe qindra militantë të FARC-ut, iu dha fund historisë së armatosur e cila ka zgjatur më shumë se gjysmë shekulli.
Kontejnerët me armë të dorëzuara nga FARC në 26 lokacione u mbyllën në transmetim të drejtpërdrejtë në prani edhe të prijësve fetarë, për t'u hapur sërish më 1 gusht për asgjësimin e tyre.
Militantëve të FARC-ut mbanin këmisha me mbishkrimin "Arma jonë e vetme do të jetë fjala jonë" dhe mysafirëve të parë fillimisht iu adresua Jean Arnault. "Ky sukses në ndërtimin e paqes në Kolumbi në të njëjtën kohë do të jetë shpresë dhe shembull i fuqishëm për bashkësinë ndërkombëtare", tha Arnault, duke njoftuar se 7.132 armë tanimë i janë dorëzuar OKB-së.
Ndërkaq, lideri i FARC-ut Londono i bëri thirrje qeverisë të mbaj premtimet e dhënë dhe të ndalë sulmet ndaj liderëve lokalë të organizatës, duke shtuar se militantët e organizatës tanimë janë militantë të luftës demokratike. Ai ripërsëriti premtimin se tani e tutje më nuk do të përdoren armët.
Nga ana tjetër, presidenti i shtetit Santos tërhoqi vëmendjen duke thënë se ngelet ende rrugë për të përshkuar dhe theksoi se qeveria do të mbajë të gjitha premtimet, duke parashtruar pritjet që edhe FARC të bëjë të njëjtën gjë.
Duke theksuar se paqja në Kolumbi është reale dhe e parevokueshme, Santos nënvizoi se do të ofrojnë mbështetësi në korniza demokratike pa u përfshirë në dhunë, megjithëse mund të mos pajtohen me idetë e mbrojtura nga FARC. "Të mos u humbin këtë mundësi. Jemi një komb, një popull. Rroftë paqja", tha ai.
Në fund të ceremonisë, presidenti Santos i dhuroi liderit të FARC-ut Londono skulpturën e armës tyta e së cilës shndërrohet në lopatë, e cila paraprakisht i ishte dhuruar presidentit Santos dhe e cila për herë të parë ishte parë në Samitin e Nobelistëve.
Avancimi i procesit
Në kampet e FARC-ut nuk do të ngelet asnjë armë pos afër 700 armëve që do të përdoren më qëllime sigurie. Armët e tubuara nëpër kontejnerë do të kontrollohen për herë të fundit më 1 gusht. Në të njëjtën kohë, militantëve të FARC-ut do t'u dorëzohen certifikata për socializim.
Po ashtu, deri më 1 gusht pritet të përfundojë edhe asgjësimi i armëve të fshehura, për koordinatat e të cilave organizata e ka informuar OKB-në.
Ndryshe, procesi i çarmatosjes nisi më 1 mars pas mbledhjes së militantëve në 26 lokacione të caktuara në vend. Më 17 mars FARC i dorëzoi OKB-së 140 armë, që ishte dorëzimi i parë i armëve nga FARC pas konfliktit që ka zgjatur për më shumë se 50 vite.
Afati për dorëzimin e armëve duhej të përfundonte në fund të muajit maj, por palët ranë dakord për ta vazhduar atë deri më 20 qershor dhe, më pas, pas takimeve të palëve, deri më 27 qershor.
Pjesën e parë që përbëhej prej 30 për qind të armëve, FARC e dorëzoi më 7 qershor, pas së cilës lideri i FARC-ut Rodrigo Londono u zotua se asnjëherë më nuk do të përdornin armët dhe se arma e tyre e vetme do të ishte lapsi.
Dorëzimi i pjesës së dytë prej 30 përqindësh u realizua me ceremoni të hapur për media në lokacionin e grumbullimit të armëve La Evrira pranë qytetit Buenos Aires në rajonin administrativ Cauca.
Ndërkaq, etapa e tretë dhe fundit e çarmatosjes së FARC-ut filloi më 21 qershor.
Marrëveshja e parë e paqes mes qeverisë kolumbiane dhe FARC-ut e nënshkruar më 2 tetor të vitit 2016 ishte dërguar në referendum, ku 50.24 për qind e pjesëmarrësve votuan kundër.
Ndërkaq, palët u ulën sërish në kryeqytetin e Kubës, Havana, ku më 12 nëntor të vitit 2016 u arrit marrëveshje e re për paqe, e cila më 24 nëntor 2016 u nënshkrua nga presidenti i Kolumbisë Juan Manuel Santos dhe lideri i FARC-ut Rodrigo Londono.
Lufta civile në Kolumbi, shtet ky me mbi 48 milionë banorë, ka zgjatur mbi gjysmë shekulli, duke shkaktuar vdekjen e afër 260 mijë personave dhe migrimin e mbi gjashtë milionë të tjerëve.