Bota

Erdoğan udhëheqësve të NATO-s ua tregon videon ku shfaqet fytyra e vërtetë e terrorizmit

Videoja është përgatitur nga Drejtoria e Komunikimit e Presidencës, në të cilën flitet për luftën e Türkiye-s kundër terrorizmit

Ali Kemal Akan, Zafer Fatih Beyaz  | 30.06.2022 - Përdıtësım : 01.07.2022
Erdoğan udhëheqësve të NATO-s ua tregon videon ku shfaqet fytyra e vërtetë e terrorizmit

Ankara

Presidenti i Republikës së Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, u ka treguar liderëve të NATO-s në Samitin e Madridit një video të përgatitur nga Drejtoria e Komunikimeve, e cila flet për luftën e Türkiye-s kundër terrorizmit, raporton Anadolu Agency (AA).

Mëngjesin e sotëm, presidenti Erdoğan dhe liderë të tjerë të vendeve të NATO-s morën pjesë në seancën përmbyllëse të Samitit në Madrid, ku tema e seancës ishte terrorizmi. Presidenti turk u tregoi liderëve një video të titulluar "NATO duhet të angazhohet në luftën kundër të gjitha formave të terrorizmit".

Videoja, e cila përfshin pamjet e sulmeve në Türkiye nga PKK/YPG, DEASH dhe FETO, nxjerr në pah luftën e vendosur të Türkiye-s kundër të gjitha organizatave terroriste.

Videoja përfshinte gjithashtu pamje që tregojnë disa vende që tolerojnë dhe mbështesin aktivitetet dhe demonstratat e organizatave terroriste kundër të cilave po lufton Türkiye.

Narratori në video tregon se më shumë se 40.000 njerëz humbën jetën nëTürkiye për shkak të terrorizmit.

“Siguria dhe stabiliteti i Türkiye-s, e cila ndodhet në një rajon strategjik dhe turbulent, është vazhdimisht në shënjestër të organizatave terroriste. Për 40 vitet e fundit, Türkiye ka shkatërruar kërcënimin e brendshëm terrorist të PKK-së, ka mposhtur DEASH-in në Siri dhe ka arritur një fitore duke neutralizuar përpjekjen e grushtit të shtetit të organizuar nga FETO më 15 korrik 2016. Türkiye, dhjetëra mijëra qytetarë të së cilës u vranë në sulme terroriste dhe që u detyrua të shpenzojë miliarda dollarë që të kujdeset për sigurinë dhe stabilitetin e vendit, ka bërë një punë të madhe në luftën kundër terrorizmit. Vendi pagoi një çmim të lartë”, thuhet në video.

- Gjithashtu u dokumentua edhe qëndrimi i Evropës ndaj terrorizmit

“Duhet të kuptojmë dhe të kemi parasysh se asnjë aleat i NATO-s nuk është aq i ekspozuar ndaj sulmeve terroriste sa Türkiye”, thotë në video Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Videoja përfshin gjithashtu pamjet e demonstratave të mbështetësve të organizatës terroriste në Paris, kryeqytetin e Francës, Londër, kryeqytetin e Anglisë, Amsterdam, kryeqytetin e Holandës, Helsinki, kryeqytetin e Finlandës, Malmö në Suedi dhe Dusseldorf në Gjermani.

“Türkiye vazhdon luftën e saj të vendosur kundër terrorizmit. Ndërsa aleatët e NATO-s për fat të keq kanë mbyllur sytë ndaj shqetësimeve të sigurisë kombëtare të Ankarasë, shumë aleatë evropianë vazhdojnë të ofrojnë mbështetje direkte ose indirekte politike, financiare dhe me armë për organizatën terroriste PKK dhe degët e saj, e cila kërcënon sigurinë kombëtare të Türkiye-s dhe jetën e qytetarëve turq”, thuhet në video.

- Mbështetja e SHBA-së për PKK-në dhe FETO-n

Në video, të cilën Erdoğan ua tregoi liderëve të NATO-s, thuhet gjithashtu se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin YPG-në, degën siriane të organizatës terroriste PKK, me para, trajnime dhe armë nën maskën e luftimit të terrorizmit. Aty kishte edhe pamje nga kampi i FETO-s në Pensilvani.

“Udhëheqësi i FETO-s vazhdon t'i shmanget përgjegjësisë dhe jeton në fermën e tij në Pensilvani dhe vazhdon t'u japë udhëzimet e tij organizatës terroriste”, thuhet në video.

- Mesazhi: Së bashku jemi të fortë dhe së bashku mund ta mposhtim terrorizmin

Videoja thekson se ngritja e organizatave terroriste në botë dhe aktivitetet e tyre në rritje kërkojnë që NATO të jetë më vigjilente se kurrë kundër të gjitha formave të terrorizmit dhe akteve terroriste.

“Solidariteti dhe respekti për sigurinë kombëtare të çdo vendi anëtar është një nga iniciativat antiterroriste të NATO-s që është çelësi i suksesit të saj dhe gjithashtu do të kontribuojë në përmbushjen e misioneve të Aleancës, si mbrojtja e përbashkët, menaxhimi i krizave dhe siguria e përbashkët. Ndërsa lufta kundër terrorizmit është në krye të agjendës së Samitit të Madridit, shtetet anëtare duhet të rikujtojnë edhe një herë përgjegjësinë e tyre ndaj aleatëve dhe të vazhdojnë të mbështesin plotësisht luftën kundër të gjitha formave të terrorizmit. Së bashku jemi të fortë dhe së bashku mund ta mposhtim terrorizmin”, thuhet në video.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın