Bota

Erdoğan: Turqia do t'i thotë "jo" anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO

Turqia ka shprehur kundërshtime ndaj kërkesave të anëtarësimit të vendeve nordike, duke i kritikuar ato për tolerimin, madje edhe mbështetje të grupeve terroriste

Ahmet Gençtürk, Rabia İclal Turan   | 19.05.2022
Erdoğan: Turqia do t'i thotë "jo" anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO

Stamboll

Turqia do t'i thotë "jo" hyrjes së Finlandës dhe Suedisë në NATO, deklaroi sot presidenti Recep Tayyip Erdoğan, ndërsa përfaqësues të lartë të dy vendeve pritet të vizitojnë Turqinë për bisedime në ditët në vijim, raporton Anadolu Agency (AA).

Udhëheqësi turk përsëriti shqetësimet e sigurisë së Ankarasë në mes të kërkesës të Helsinkit dhe Stokholmit për anëtarësim në NATO, duke thënë se vendet nordike kanë strehuar anëtarë të grupeve terroriste si YPG/PKK dhe Organizata Terroriste FETO.

"Ne u thamë atyre, ne thamë se NATO është një organizatë e sigurisë, ne nuk mund të pranojmë ekzistencën e organizatave terroriste në një organizatë të tillë", tha Erdoğan në një takim me një grup të rinjsh në kryeqytetin Ankara me rastin e Përkujtimit të Ataturkut dhe Ditës së Rinisë dhe Sportit.

"Sidomos Suedia është një bujtinë e vërtetë për terrorin", tha ai, duke shtuar se Stokholmi gjithashtu kishte vendosur embargo armësh ndaj Turqisë.

Turqia, anëtare e kamotshme e NATO-s, ka shprehur kundërshtime ndaj kërkesave të anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë, duke kritikuar vendet për tolerimin dhe madje mbështetjen e grupeve terroriste, përfshirë YPG/PKK-në.

Gjatë pesë viteve të fundit, si Helsinki ashtu edhe Stokholmi nuk kanë arritur të pajtohen me kërkesat e Ankarasë për ekstradimin e dhjetëra terroristëve, duke përfshirë anëtarë të PKK dhe FETO, grupi që qëndron pas grushtit shtetit të dështuar në 2016 në Turqi.

Përfaqësues të lartë të Finlandës dhe Suedisë do të vizitojnë Turqinë në ditët në vijim për të zhvilluar bisedime zyrtare në Ankara, ku do të diskutojnë proceset e pranimit të tyre.

Lufta Rusi-Ukrainë

I pyetur për luftën Rusi-Ukrainë, Erdoğan tha se Turqia do të "vazhdojë të ndjekë një politikë të ekuilibruar".

"As që kam menduar të ndërpres lidhjet me (presidentin rus Vladimir) Putin ose (presidentin ukrainas Volodymyr) Zelensky", tha ai.

Erdoğan tha gjithashtu se diplomacia përmes bisedave telefonike me liderët rusë dhe ukrainas do të vazhdojë.

Që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, Turqia ka organizuar takimet e profilit më të lartë midis zyrtarëve rusë dhe ukrainas në mars në qytetin turistik Antalya dhe në Stamboll.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka lënë mijëra të vdekur dhe të plagosur si dhe ka detyruar më shumë se 6.3 milionë njerëz të ikin jashtë vendit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın