Bota

Erdoğan mbërrin në Pakistan në një vizitë zyrtare dy-ditore

Kryeministri pakistanez, Imran Khan, së bashku me anëtarët e tij të kabinetit mirëpritën presidentin turk, i cili shoqërohej nga një delegacion i nivelit të lartë

Ekip  | 13.02.2020 - Përdıtësım : 13.02.2020
Erdoğan mbërrin në Pakistan në një vizitë zyrtare dy-ditore ( Mustafa Kamacı - Anadolu Agency )

Islamabad/Karaçi

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka mbërritur në kryeqytetin pakistanez Islamabad për një vizitë zyrtare dy-ditore, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri pakistanez, Imran Khan, së bashku me anëtarët e tij të kabinetit mirëpritën presidentin turk, i cili shoqërohej nga një delegacion i nivelit të lartë. 

Delegacioni turk i kryesuar nga presidenti Erdoğan mbërriti në bazën ajrore Nur Khan, bazë ushtarake e cila përdoret për të pritur zyrtarë të qeverive të huaja.

Zonja e Parë e Turqisë, Emine Erdoğan, po ashtu shoqëronte presidentin Erdoğan. Presidenti Erdoğan i shoqëruar nga Khan u drejtuan në Shtëpinë e Kryeministrisë, ku do të prezantohet një rojë nderi.

Gjatë vizitës në Pakistan, Erdoğan do të bashkë-kryesojë një takim të nivelit të lartë me kryeministrin Khan, takim i katërt që nga viti 2002 dhe i dyti që kur Erdoğan mori detyrën e presidentit.

Në Këshillin e Bashkëpunimit Strategjik të nivelit të lartë Pakistan-Turqi (HLSCC) po ashtu do të marrin pjesë edhe politikanë të lartë dhe anëtarë të kabinetit nga të dy palët.

Ministria pakistaneze e Punëve të Jashtme bëri të ditur se pas përfundimit të seancës, do të nënshkruhet një deklaratë e përbashkët.

"Një numër i marrëveshjeve/memorandumeve të rëndësishme pritet të konkludohen. Të dy udhëheqësit do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media", tha ministria pakistaneze.

Para seancës, Erdoğan dhe Khan do të takohen për diskutime mbi një gamë të gjerë të çështjeve globale dhe rajonale.

Së bashku me kryeministrin pakistanez, Erdoğan do të adresohet në Forumin e Biznesit dhe Investimeve Pakistan-Turqi, i cili bashkon në një vend investitorët kryesorë dhe njerëzit e biznesit nga të dyja palët.

Siç është planifikuar, Erdoğan po ashtu gjatë ditës së nesërme do të adresohet në një seancë të përbashkët të Parlamentit pakistanez, adresim i cili për presidentin turk është hera e katërt pasi më herët është adresuar në vitin 2016, 2012 dhe 2009.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.