Bota

Erdoğan: Jemi të vendosur të rrisim vëllimin tregtar me Turkmenistanin në 5 miliardë dollarë

"Jemi të gatshëm të ndërmarrim hapat e nevojshëm për të rritur fillimisht në 5 miliardë dollarë vëllimin tonë tregtar me Turkmenistanin", deklaroi presidenti Erdoğan

Zafer Fatih Beyaz, Barış Gündoğan  | 27.11.2021 - Përdıtësım : 28.11.2021
Erdoğan: Jemi të vendosur të rrisim vëllimin tregtar me Turkmenistanin në 5 miliardë dollarë Foto: Aytaç Ünal / AA

Ankara

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha se "Jemi të gatshëm të ndërmarrim hapat e nevojshëm për të rritur fillimisht në 5 miliardë dollarë vëllimin tonë tregtar me Turkmenistanin", raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Erdoğan mbajti një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Turkmenistanit, Gurbanguly Berdimuhamedov pas takimit bilateral dhe ndërmjet delegacioneve në pallatin presidencial Oguzhan në kryeqytetin e Turkmenistanit, Ashkabat.

Pasi tha se është shumë i lumtur për vizitën e tij në Turkmenistan, Erdoğan uroi 30-vjetorin e pavarësisë së Turkmenistanit duke rikujtuar se Turqia ka qenë ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e tij dhe ka hapur e para ambasadën e saj në Ashkabat.

Gjithashtu Erdoğan tha se pak kohë më parë në Stamboll organizuan Samitin e Organizatës së Shteteve Turke (Këshilli turk) dhe tha se "Fotografia familjare u plotësua me bashkimin në mesin tonë edhe të Turkmenistanit. Me këtë rast i shpreh edhe njëherë mirë se ardhjen në "kuvendin vëllazëror" Turkmenistanit".

Në fjalën e tij, Erdoğan potencoi se në takimin me Berdimuhamedov diskutuan për marrëdhëniet në të gjitha dimensionet e saj.

"Jemi të gatshëm të ndërmarrim hapat e nevojshëm për të rritur fillimisht në 5 miliardë dollarë vëllimin tonë tregtar me Turkmenistanin. Krahas transportit tokësor dhe ajror kemi shkëmbyer pikëpamjet me qëllim zhvillimin e bashkëpunimit tonë në fushën e energjisë. Në kuadër të bashkëpunimit tonë strategjik të bazuar në partneritetin historik dhe kulturor kemi mendim të njëjtë për t‘i dhënë një shtysë të re marrëdhënieve tona në fushat si arsimi, kultura, rinia dhe sporti", tha Erdoğan duke shtuar se:

"Sot nënshkruam deklaratat e përbashkëta që përbëhen nga 9 nene në të njëjtën kohë dhe me këto marrëveshje forcuam edhe më tej bazën kontraktuale të marrëdhënieve tona me Turkmenistanin. Shpresoj që edhe nesër do të takohemi në kuadër të Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik. Do të gjejmë mundësinë që të diskutojmë me liderët e vendeve mike dhe vëlla për mënyrat se si mund të forcojmë bashkëpunimin tonë në kuadër të organizatës. Shpreh falënderimet ndaj Berdimuhamedov dhe të gjithë autoriteteve turkmene për mikpritjen e tyre dhe uroj që takimet dhe dokumentet që nënshkruam të shërbejnë për mirë".

Pas konferencën për media, Erdoğan u nderua nga presidenti i Turkmenistanit, Berdimuhamedov me medaljen e "Urdhrit Shtetëror" për të cilën presidenti turk u shpreh se është krenar.

Pas takimit kokë më kokë, në praninë e Erdoğan-it dhe Berdimuhamedov-it u nënshkruan 8 marrëveshje dhe deklarata të përbashkëta, përfshirë edhe Marrëveshjen e bashkëpunimit mes Anadolu Agency dhe Agjencisë Shtetërore të Lajmeve të Turmenistanit, të cilat në emër të AA-së u nënshkruan nga Drejtori i Përgjithshëm dhe kreu i Bordit Drejtues të AA-së, Serdar Karagöz dhe kreut të Agjencisë Shtetërore të Lajmeve të Turmenistanit, Merdan Gazakbayev.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.