Politikë, Bota

Erdoğan: Bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar, jetik në luftën kundër terrorizmit

"Bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar është jetik në luftën kundër terrorizmit", tha Erdoğan në Samitin e 15-të të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik në kryeqytetin e Turkmenistanit, Ashkabat

Enes Kaplan   | 28.11.2021
Erdoğan: Bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar, jetik në luftën kundër terrorizmit

Ankara

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha se "Bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar është jetik në luftën kundër terrorizmit. Luftën tonë duhet ta vazhdojmë pa bërë dallime mes organizatave terroriste", raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Erdoğan gjatë një fjalimi në Samitin e 15-të të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik në kryeqytetin e Turkmenistanit, Ashkabat përshëndeti pjesëmarrësit dhe shprehu lumturinë e tij për takimin me rastin e samitit. Duke shprehur falënderimet ndaj presidentit të Turkmenistanit, Gurbanguly Berdimuhamedov për mikpritjen, Erdoğan tha se Turqia ka dorëzuar presidencën e radhës për samitin dhe i ka uruar sukses Turkmenistanit për presidencën e re të radhës.

Presidenti turk tërhoqi vëmendjen se i gjithë njerëzimi prej dy vitesh po lufton me një kërcënim në nivel global. Ai potencoi se COIVD-19 i cili u ka kushtuar jetën mbi 5 milionë njerëzve vazhdon ndikimin e tij në çdo fushë kryesisht në ekonomi, tregti dhe turizëm.

Pasi rikujtoi se kanë kryer furnizime me vaksina në 11 vende, Erdoğan tha: "Pak kohë më parë vaksina jonë vendase TURKOVAC bëri aplikim për miratimin e përdorimit emergjent. Shpresojmë që në përfundim të procesit vaksinën tonë do ta ofrojmë në shërbim të popullit tonë dhe të gjithë njerëzimit".

Në fjalimin e tij, Erdoğan foli për Azerbajxhanin ku theksoi se çlirimi i territoreve të Azerbajxhanit nën pushtim ka hapur edhe dyert e ndërtimit të paqes së përhershme dhe stabilitetit në rajon. "Projektet që Azerbajxhani ka zbatuar njëra pas tjetrës për të rritur mirëqenien në rajon janë për t'u përgëzuar. Këto hapa do të mbështesin normalizimin në rajon. Si Turqi do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë Azerbajxhanit në këtë proces. Ka një rëndësi të madhe që pranë Azerbajxhanit të jemi në solidarizim të plotë edhe si organizatë", tha Erdoğan.

Erdoğan ka bërë një vlerësim edhe lidhur me çështjen e Qipros ku ai deklaroi: "Në çështjen e Qipros, konfirmimi i barazisë sovrane dhe statusit të barabartë ndërkombëtar të popullit turk është çelësi i një zgjidhjeje. Dëshiroj që të gjitha vendet mike dhe vëllazërore të vlerësojnë pa paragjykim vizionin e zgjidhjes për Republikën Turke të Qipros Veriore. Ne inkurajojmë zhvillimin e marrëdhënieve në fusha të tilla si sporti, kultura, arsimi dhe turizmi për të lehtësuar izolimin me të cilin përballen turqit qipriotë, të cilët janë anëtarë vëzhgues të organizatës tonë".

"Bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar është jetik në luftën kundër terrorizmit. Luftën tonë duhet ta vazhdojmë pa bërë dallime mes organizatave terroriste. Me pastrimin e organizatave të përgjakshme terroriste si PKK, YPG, FETO dhe DEASH, edhe qetësia, stabiliteti dhe zhvillimi ekonomik në rajonin tonë do të përshpejtohet. Është shumë e rëndësishme në këtë drejtim që të veprojmë së bashku në solidarizim kundër çdo lloji të terrorizmit", tha Erdoğan.




Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın