Bota

"Emiratet e Bashkuara Arabe penguan armëpushimin në Libi"

"Gjatë bisedimeve për armëpushimin, përfaqësuesit e vendeve të Gjirit ishin gjithashtu të pranishëm në anën e Haftarit", tha kreu i Këshillit të Lartë Shtetëror të Libisë, organ i qeverisë legjitime të Tripolit

Çağrı Koşak  | 15.01.2020 - Përdıtësım : 16.01.2020
"Emiratet e Bashkuara Arabe penguan armëpushimin në Libi"

Tripoli

Presidenti i Këshillit të Lartë Shtetëror të Libisë, Khalid al-Mishri, deklaroi se Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) janë penguesit e arritjes së armëpushimit në Libi, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media në Tripoli, Mishri foli mbi bisedimet për armëpushim që u zhvilluan në Moskë midis Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) të njohur nga Kombet e Bashkuara (OKB) dhe liderit të forcave jolegjitime lindore Khalifa Haftar, i cili dje u largua nga kryeqyteti rus pa e firmosur marrëveshjen për ndaljen e luftimeve.

"Gjatë bisedimeve për armëpushimin, përfaqësuesit e vendeve të Gjirit ishin gjithashtu të pranishëm në anën e Haftarit", tha kreu i Këshillit të Lartë Shtetëror, organ i GNA-së me seli në Tripoli.

"Një nga këta përfaqësues, i Ngarkuari me Punë i EBA-së në Moskë, është një nga shkaktarët e mosrealizimit të marrëveshjes së armëpushimit në Libi", shtoi Mishri.

"Propozimi i Rusisë për armëpushim ishte përgatitur në formë të pranueshme për palën agresore (forcat e Haftarit)", theksoi Khalid al-Mishri.

Të hënën në Moskë delegacionet turke dhe ruse zhvilluan bisedime me palët në Libi, ku diskutuan mbi një tekst të përgatitur për marrëveshjen e armëpushimit.

Marrëveshja u nënshkrua nga Fayez al-Sarraj, kreu i GNA-së, por Khalifa Haftar, komandanti rebel me bazë në lindje të Libisë, mëngjesin e nesërm u largua nga Moska pa nënshkruar marrëveshjen, duke kërkuar afat dyditor për konsultime lokale.

Më 12 janar, palët ndërluftuese të konfliktit libian njoftuan një armëpushim në përgjigje të thirrjes së përbashkët të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, dhe atij rus, Vladimir Putin.

Që nga rrëzimi i sundimtarit Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi u shfaqën dy qeveri rivale, njëra në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe tjetra GNA me qendër në Tripoli që gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.

Në muajin prill, Haftar nisi një ofensivë për pushtimin e Tripolit, veprim i cili u kundërshtua nga komuniteti ndërkombëtar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın