Bota

El Salvador, telefonat e gazetarëve dhe aktivistëve janë hakuar me spyware-in Pegasus

Sipas raportit të Citizen Lab, një qendër kërkimore pranë Universitetit të Toronto-s në Kanada, thuhet se telefonat celularë të dhjetëra gazetarëve dhe aktivistëve në El Salvador janë hakuar me softuerin Pegasus që nga fillimi i vitit 2020

Sümeyye Dilara Dinçer   | 13.01.2022
El Salvador, telefonat e gazetarëve dhe aktivistëve janë hakuar me spyware-in Pegasus

Ankara

Zbulohet se në shtetin e Amerikës Qendrore, El Salvador, telefonat e shumë gazetarëve dhe aktivistëve ishin hakuar me spyware-in (softuerin e spiunimit) "Pegasus" të zhvilluar nga NSO Group me seli në Izrael, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas raportit të Citizen Lab, një qendër kërkimore pranë Universitetit të Toronto-s në Kanada, thuhet se telefonat celularë të dhjetëra gazetarëve dhe aktivistëve në El Salvador janë hakuar me softuerin Pegasus që nga fillimi i vitit 2020.

Nga Citizen Lab bënë të ditur se është identifikuar operatori i spyware-it që punonte në El Salvador i cili synoi gazetarët dhe aktivistët që pretendohet se hetonin korrupsionin në shtet.

Gjithashtu thuhet se një nga faqet e lajmeve të shënjestruar nga spyware-i Pegasus është El Faro.

Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, mohoi akuzat se ai kishte ndonjë lidhje me softuerin Pegasus dhe deklaroi se qeveria nuk kishte licencë për përdorimin e këtyre softuerëve.

Zëdhënësja presidenciale, Sofia Medina, njoftoi se qeveria po heton piratërinë në fjalë.

- Spyware Pegasus i NSO Group

Në hulumtimin e kryer nga 17 organizata mediatike dhe në bashkëpunim me Amnesty International dhe konsorciumin ndërkombëtar të gazetarëve Forbidden Stories, thuhet se spyware Pegasus, që i përket grupit NSO me bazë në Izrael, përdorej për qëllime keqdashëse në mbarë botën.

Më tej thuhet se qeveritë e të paktën 10 vendeve nga Afrika në Evropë ishin klientët e NSO Group dhe se spyware u shitej qeverive për të synuar aktivistët, gazetarët, avokatët dhe politikanët.

Thuhet se më shumë se 50.000 numra telefoni në mbarë botën janë monitoruar nga ky spyware.

NSO Group, nga ana tjetër, mohon të gjitha akuzat, duke pretenduar se "u ofron shërbime teknologjike vendeve ose agjencive të zbatimit të ligjit për t'i ndihmuar ata të luftojnë terrorizmin dhe krimin e rëndë".

Me këtë softuer spiun, i cili mund ta kthejë celularin në një pajisje "mbikëqyrjeje", shumë aplikacione si mikrofoni, kamera, mesazhet dhe regjistrimet e zërit mund të aksesohen pa dijeninë dhe pëlqimin e përdoruesit.

- SHBA futi në listën e zezë NSO, kurse Apple paditi NSO

Më 3 nëntor, administrata amerikane futi në listën e zezë 4 kompani, duke përfshirë kompanitë e teknologjisë me bazë në Izrael, NSO Group dhe Candiru, me arsyetimin se po u shisnin spyware vendeve të huaja.

Kurse më 24 nëntor Apple ngriti padi kundër Pegasus dhe njoftoi se kishte ndërmarrë veprime për të ndaluar përdorimin e softuerit, shërbimeve dhe mjeteve të Apple, si dhe nisjen e një lufte ligjore kundër Grupit NSO, i cili synonte përdoruesit me spyware-in "Pegasus" që ajo zhvilloi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın