Bota

Egjipti, Irani dhe IAEA diskutojnë mënyrat për gjetur zgjidhje mbi programin bërthamor të Teheranit

Ministri egjiptian Abdelatty bisedoi veçmas me Araghchin dhe Grossin në telefon të enjten për të ndjekur zhvillimet në programin bërthamor të Iranit

Mohammad Sıo  | 31.10.2025 - Përdıtësım : 31.10.2025
Egjipti, Irani dhe IAEA diskutojnë mënyrat për gjetur zgjidhje mbi programin bërthamor të Teheranit

Stamboll

Ministri i Jashtëm egjiptian, Badr Abdelatty bisedoi me homologun iranian, Abbas Araghchi dhe drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Gross, për të diskutuar mënyrat për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin rajonal duke gjetur zgjidhje për çështjen bërthamore të Iranit, transmeton Anadolu.

Abdelatty bisedoi veçmas me Araghchin dhe Grossin në telefon të enjten për të ndjekur zhvillimet në programin bërthamor të Iranit, tha sot në një deklaratë Ministria e Jashtme e Egjiptit. Bisedimet u përqendruan në "mbështetjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal përmes zgjidhjeve paqësore për dosjen bërthamore iraniane", shtoi deklarata.

Abdelatty theksoi rëndësinë e ruajtjes së dialogut midis Teheranit dhe IAEA-së dhe rifillimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit bazuar në marrëveshjen e nënshkruar në Kajro më 9 shtator. Ai bëri thirrje për konsultime të intensifikuara midis palëve përkatëse në periudhën e ardhshme.

Më 9 shtator, Egjipti njoftoi se Irani dhe IAEA arritën marrëveshje të ndërmjetësuar nga Kajro, për të rifilluar bashkëpunimin që ishte pezulluar që nga qershori 2025. Telefonatat, sipas ministrisë, u bënë në përputhje me direktivat e presidentit egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi për të vazhduar përpjekjet për të ulur tensionet dhe për të promovuar qetësinë në të gjithë Lindjen e Mesme.

Më parë, më 18 tetor, Abdelatty zhvilloi telefonata të ngjashme me Araghchin, Grossin dhe të dërguarin e SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, për të diskutuar mënyrat për të zgjidhur krizën bërthamore iraniane. Në atë kohë, palët ranë dakord të "vazhdonin të ndiqnin përpjekjet dhe të shqyrtonin propozimet për të arritur përparimin e dëshiruar", sipas ministrisë.

Këto telefonata erdhën disa orë pasi Ministria e Jashtme e Iranit tha se Rezoluta 2231 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e miratuar më 18 tetor 2015 për të mbështetur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 ka skaduar, duke nënkuptuar se Teherani nuk ishte më i detyruar nga sanksionet e OKB-së mbi aktivitetet e tij bërthamore.

Rezoluta 2231, e cila zgjati 10 vjet, miratoi Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA) të vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore, SHBA-së, Kinës, Rusisë, Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke kufizuar programin bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve të OKB-së.

Më 28 gusht, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania njoftuan aktivizimin e mekanizmit "snapback" sipas marrëveshjes së vitit 2015, duke rivendosur sanksionet ndaj Iranit për shkelje të dyshuara, pas tërheqjes së njëanshme të SHBA-së nga marrëveshja.

Izraeli, SHBA-ja dhe disa vende evropiane akuzojnë Iranin se kërkon të zhvillojë armë bërthamore ndërsa Teherani pohon se programi i tij është thjesht për qëllime civile, përfshirë gjenerimin e energjisë elektrike.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın