Şahin Demir
30 korrik 2026•Përditësim: 30 korrik 2026
Kryeministri egjiptian Mostafa Madbouly tha të enjten se autoritetet kanë gjetur mbetjet e dronit të përdorur në sulmin ndaj një anijeje gazi në një port egjiptian dhe po i analizojnë ato për të përcaktuar origjinën e tij, raporton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media në El Alamein, në veri të Egjiptit, Madbouly tha se asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
“Ne kemi gjetur mbetjet e dronit nga sulmi ndaj anijes në Portin e Damietës dhe po kryejmë një analizë të sigurisë”, tha ai.
Madbouly theksoi se qëndrimi i Egjiptit do të bazohet “në fakte, jo në hamendësime”.
Ai tha se qeveria i është përgjigjur incidentit përmes disa kanaleve, përfshirë masat e sigurisë të ndërmarra nga Ministria e Mbrojtjes dhe agjencitë e inteligjencës.
Duke iu referuar shqetësimeve për furnizimet me energji, Madbouly tha se sulmi nuk ka ndikuar në sistemin energjetik të Egjiptit, duke shtuar se autoritetet kanë aktivizuar masa alternative për të garantuar vazhdimësinë e furnizimeve.
Gjatë së njëjtës konferencë, ministri i Shtetit për Informacionin, Diaa Rashwan, hodhi poshtë spekulimet se çështja do të mbyllet dhe premtoi se gjetjet do të publikohen pasi të përfundojnë hetimet.
Më herët të enjten, qeveria egjiptiane tha se dy anije morën flakë në port pasi u goditën nga një dron.
Në një deklaratë, ajo tha se zjarri, i cili ndodhi të mërkurën, u vu nën kontroll dhe hetimet paraprake treguan se incidenti u shkaktua nga një dron. Ajo shtoi se asnjë palë nuk ka marrë përgjegjësi dhe se autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e sulmit dhe për të marrë masa për mbrojtjen e sigurisë dhe interesave kombëtare të Egjiptit.
Të mërkurën në mbrëmje, Ministria e Naftës e Egjiptit njoftoi për një zjarr në bordin e dy anijeve të gazit në port, pa specifikuar shkakun. Kompania britanike e sigurisë detare Ambrey raportoi se një sulm me dron kishte goditur një objekt lundrues për ruajtjen e gazit natyror të lëngshëm (LNG), në pronësi të SHBA-së dhe me flamur të Ishujve Marshall, në këtë port.
I pyetur nëse Irani qëndronte pas sulmit, presidenti amerikan Donald Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se “është pak a shumë e njëjta gjë”.
Trump tha gjithashtu se SHBA-ja do t’i përgjigjet Iranit “shumë fuqishëm”, duke deklaruar: “Do t’i godasim shumë rëndë, sepse është radha jonë për t’i goditur. Dhe ata e dinë se kjo po vjen.”