Bota

"Edhe pse na vrasin, ne përparojmë në rrugën tonë për paqe"

Rodrigo Londono: Është e vërtetë që anëtarët e FARC të cilët braktisën armët po vriten. Jo vetëm ish-anëtarët e FARC, por po vrasin edhe mbrojtësit e të drejtave njeriut dhe mjedisit

Daniel Salgar Antolinez/Muhammed Emin Canik   | 17.09.2019
"Edhe pse na vrasin, ne përparojmë në rrugën tonë për paqe" ( Juancho Torres - Anadolu Agency )

Bogota

Ish-udhëheqësi i Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC) dhe kryetari i përgjithshëm i partisë së re politike Forca Alternative Revolucionare e Shoqërisë (FARC), Rodrigo Londono, tha se "Është e vërtetë që anëtarët e FARC të cilët braktisën armët po vriten”.

Londono në qendrën e përgjithshme të partisë së tij iu përgjigj pyetjeve të Anadolu Agency (AA), në lidhje me vendimin që kanë marrë disa ish-udhëheqës, si Ivan Marquez, i cili kryen rolin e kryenegociatorit të organizatës në marrëveshjen e paqes mes qeverisë së Kolumbisë dhe FARC.

"Do të ishte mirë që të hapej një faqe e pastër për këtë çështje. Rezultati që unë kam nxjerrë është se janë një grusht ëndërrimtarësh që iu ka kaluar moda, të cilët për të fshehur gabimet e tyre publikojnë komunikatë. Këta nuk kanë as një projekt dhe po ashtu nuk kanë as ndonjë ndikim mbi atë që ne bëjmë. I kemi njoftuar partisë FARC, Kolumbisë dhe botës që ne do të mbajmë premtimin tonë si më shumë se 95 për qind e atyre që kanë nënshkruar marrëveshjen e paqes", tha Londono rreth ndikimit të vendimit të armatosjes mbi marrëveshjen e paqes.

- "Riarmatosja nuk ka asnjë anë të drejtë"

"Unë i njoh shumicën e atyre që kanë vendosur të armatosen, kam jetuar me ta, kam hyrë në konflikte së bashku. Unë jam sinqerisht i mërzitur për këtë vendim sepse Marquez dhe Jesus Santrich luajtën një rol të madh në bisedimet e paqes në Havana. Por është për të ardhur keq që ata kanë dëmtuar rezultatet e të gjitha këtyre përpjekjeve", ka vlerësuar Londono.

Pasi ka tërhequr vëmendjen se është formuar me vështirësi struktura e një organizate të armatosur, Londono tha se "Deri në bisedimet e paqes u deshën më shumë se 50 vjet për të krijuar një strukturë në kushtet e FARC. Nuk është e lehtë të formohen trupa, të mbash njerëzit së bashku nën parime të caktuara, ku në mes të një konflikti jashtëzakonisht të ndërlikuar dhe të vështirë, personat nën urdhër mund të dalin jashtë kontrollit".

Duke kundërshtuar me forcë vendimin për riarmatosje, Londono shtoi se "Jo vetëm FARC, por edhe partitë e tjera politike në Kolumbi, qeveria dhe komuniteti ndërkombëtar kanë refuzuar vendimin e Marquez për riarmatosje dhe kanë theksuar se ky vendim nuk ka asnjë anë të drejtë".

- "Edhe pse na vrasin, ne përparojmë në rrugën tonë për paqe"

Rreth ish-anëtarëve të FARC të vrarë pas marrëveshjes së paqes, Londono ka theksuar se "Është e vërtetë që anëtarët e FARC të cilët braktisën armët po vriten. E kam shprehur shumë herë, edhe pse na vrasin, ne përparojmë në rrugën tonë për paqe. Jo vetëm ish-anëtarët e FARC, por po vrasin edhe mbrojtësit e të drejtave njeriut dhe mjedisit. Ky është një rezultat i konfliktit të brendshëm dhe është ende një çështje që duhet të kapërcejmë".

Pasi ka theksuar se vrasja e ish-anëtarëve të FARC nuk duhet të shkaktojë riarmatosjen, Londono, tha më tej se "Sigurisht, këto vdekje ndikojnë në vendimin për të armatosur ish-anëtarët, por ne e dinim këtë kur nënshkruam marrëveshjen e paqes. Këtë e dinin edhe Ivan Marquez dhe njerëzit e tjerë në video që njoftuan vendimin e tyre për riarmatim, këto ne i kemi biseduar dhe analizuar. Marrëveshja e paqes nuk ishte një përfundim për ne, por një pikë fillimi për një proces shumë të ndërlikuar dhe të vështirë. Ne e dinim që e djathta ekstreme që shkakton dhunë në Kolumbi nuk do të mbetej e heshtur, e dinim që do të na kërcënohej jeta, kjo nuk është një gjë e re".

Duke deklaruar se duhet distancim nga përshkallëzimi i polarizimit në Kolumbi, Londono tha se detyra e tyre dhe e qeverisë është që të minimizojnë kategorizimet dhe veçimin e kësaj.

- "Çdo ditë gjithnjë e më shumë njerëz mbrojnë marrëveshjen e paqes"

“Marrëveshja e paqes nuk është e thjeshtë” ka tërhequr vëmendjen Londono, duke shtuar se qeveria e ardhur pas marrëveshjes së paqes ka kundërshtuar që në fillim që kolumbianët të përparojnë në rrugën e paqes.

"Marrëveshja e paqes ka jetën e saj që askush nuk mund të ndërhyjë dhe marrëveshja e paqes është një trashëgimi e popullit kolumbian dhe komunitetit ndërkombëtar, dhe jo e FARC. Çdo ditë gjithnjë e më shumë njerëz mbrojnë marrëveshjen e paqes. Të gjitha problemet mund të tejkalohen, sa më shumë njerëz të mbështesin paqen, aq më lehtë do të jetë zgjidhja e problemeve, gjë e cila po ndodh tani", tha Londono duke vënë theksin mbi vazhdimësinë e marrëveshjes së paqes.

- Venezuela ka mbështetur paqen në Kolumbi

Londono ka bërë të ditur se po përpiqen të pakësojnë tensionin e formuar mes dy vendeve pasi Kolumbia akuzoi qeverinë e Venezuelës për ndihmë ndaj ish-liderëve të FARC.

Lidhur me akuzën e qeverisë së Kolumbisë ndaj Venezuelës, Londono ka bërë vlerësimin: "Sipas mendimit tonë, ky është një qëndrim oportunist. Jam i bindur që qeveria e Venezuelës nuk i mbështet ata që vendosin të armatosen, por këtu disa palë po përfitojnë nga kjo. Akuza të tilla janë të papërgjegjshme sepse mund ta mbështesni ose të mos e mbështesni qeverinë e Venezuelës, por nuk besoj se një qeveri do të rrezikojë vendin e saj duke mbështetur një grup (ish-drejtuesit e FARC që kanë vendosur të armatosen) që nuk ka asgjë për t’u kapur, mbajtur. Venezuela edhe në periudhën e Chavez dhe të Maduros mbështeti procesin e paqes në Kolumbi. Tani përse të mbështesë një projekt krejt të kundërt me këtë që ne të vrasim njëri-tjetrin?".

- Emri i partisë FARC mund të ndryshojë

Londono ka njoftuar se me armatosjen e disa ish-liderëve emri FARC mund të ndryshojë me një kongres që do të zhvillohet brenda partisë dhe se ai e ka propozuar këtë më parë.

Në Kolumbi, organizata e cila la armët pas një periudhe gjysmë shekulli, themeloi partinë "Fuerza Alternativa Revolucionaria del Comun", që do të thotë Forca Alternative Revolucionare e Shoqërisë për të përdorur shkurtimin FARC.

Ivan Marquez, kryenegociatori i organizatës në marrëveshjen e paqes mes qeverisë kolumbiane dhe FARC, dhe Jesus Santrich, një nga emrat simbol të organizatës, nëpërmjet një deklarate që ata lexuan të shoqëruar nga një grup ish-militantësh të FARC më 29 gusht njoftuan vendimin për t’u armatosur sërish.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın