Berk Kutay Gökmen
29 korrik 2026•Përditësim: 29 korrik 2026
Kompania e tregtisë elektronike eBay ka rënë dakord të paguajë 55,7 milionë dollarë në kuadër të një marrëveshjeje me një çift amerikan që ishte viktimë e ngacmimeve dhe përndjekjes nga ish-punonjës të kompanisë, sipas CBS News, transmeton Anadolu.
Ina dhe David Steiner, të cilët drejtojnë nga shtëpia e tyre në Massachusetts publikimin tregtar ECommerceBytes, u përballën me kërcënime online dhe dërgesa shqetësuese në vitin 2019, përfshirë një maskë derri të përgjakur, merimanga të gjalla dhe një libër mbi përballimin e vdekjes së bashkëshortit.
"Na është dashur të luftojmë shumë gjatë gjithë kësaj rruge, saqë është disi e vështirë të besojmë se tani ka përfunduar, por jemi shumë të lumtur për këtë", tha Ina Steiner.
"Kjo na lejon që shpresojmë të jetojmë pjesën tjetër të jetës sonë në paqe", tha David Steiner.
Hetuesit gjurmuan një furgon me qira që kishte ndjekur David Steinerin deri te një punonjës i eBay. Në vitin 2020, Departamenti i Drejtësisë akuzoi shtatë drejtues dhe punonjës të eBay për përndjekje kibernetike dhe disa prej tyre më vonë u burgosën.
Prokurorët federalë thanë se drejtuesit e eBay ishin zemëruar nga buletini i çiftit dhe komentet kritike të lexuesve.
Ish-drejtori ekzekutiv i eBay, Devin Wenig dërgoi mesazhin "Hiqeni qafe atë", ndërsa ish-drejtori i komunikimit, Steve Wymer, shkroi: "Dua të shoh hi. Për aq kohë sa të duhet. Çfarëdo që të duhet".
Çifti do të marrë 48,7 milionë dollarë në kuadër të marrëveshjes, përfshirë 2 milionë dollarë nga Wenig. eBay do të dhurojë 6 milionë dollarë për organizata bamirësie ndërsa Wenig do të japë 1 milion dollarë për një organizatë që mbron të drejtat e Amendamentit të Parë në emër të Ina Steinerit.
eBay, e cila pagoi gjobë penale prej 3 milionë dollarësh në vitin 2024 tha se "vazhdon t'u shprehë faljet më të thella familjes Steiner", duke i cilësuar veprimet e punonjësve si "të gabuara, të dënueshme dhe që nuk duhej të kishin ndodhur kurrë".