Islam Uddin
30 korrik 2026•Përditësim: 30 korrik 2026
Banorët pranë kufirit ndërkorean u evakuuan përkohësisht sot pasi një dron ushtarak amerikan u zbulua duke fluturuar mbi një zonë kufitare gjatë stërvitjeve të përbashkëta me forcat e Koresë së Jugut, raportoi agjencia e lajmeve Yonhap me seli në Seul, transmeton Anadolu.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Koresë së Jugut (JCS) më vonë identifikoi mjetin ajror pa pilot si dron të Korpusit të Marinës së SHBA-së, i cili po merrte pjesë në stërvitje dypalëshe me Divizionin e Parë të Korupsit të Marinës së Koresë së Jugut, sipas agjencisë.
Forcat Amerikane në Kore (USFK) konfirmuan gjithashtu identitetin e dronit dhe thanë se po bashkëpunojnë me autoritetet e Koresë së Jugut për të shqyrtuar incidentin.
"Ky incident ndodhi gjatë stërvitjeve dypalëshe mes Marinsave amerikanë dhe Divizionit të Parë të Korpusit të Marinës së Republikës së Koresë", tha USFK-ja.
Një alarm emergjent u lëshua në Cheorwon, rreth 70 kilometra në veri të Seulit, duke u bërë thirrje banorëve të strehohen pasi droni u zbulua fillimisht pranë Zonës së Çmilitarizuar (DMZ).
Sipas raportimit, sistemet e mbikëqyrjes ushtarake të Koresë së Jugut e zbuluan mjetin ajror, por fillimisht nuk ishin në gjendje të përcaktonin nëse ai kishte ardhur nga Koreja e Veriut.
Yonhap raportoi se fluturimi i planifikuar i dronit mund të mos ishte ndarë me njësitë ushtarake të Koresë së Jugut në zonë ose se ai mund të ishte devijuar nga itinerari i parashikuar.
JCS-ja refuzoi të komentojë nëse mjeti ajror kishte hyrë në zonën e ndalim-fluturimit të përcaktuar nga marrëveshja ushtarake ndërkoreane e vitit 2018, e cila aktualisht është pezulluar, duke thënë se incidenti mbetet nën hetim.