Elena Teslova
03 gusht 2026•Përditësim: 03 gusht 2026
Një sulm ukrainas me dron shkaktoi zjarr në një qendër logjistike të "Wildberries" në rajonin Vladimir të Rusisë gjatë natës, tha sot shitësi më i madh online i vendit, transmeton Anadolu.
"Wildberries and Russ" (RVB), kompania e bashkuar që operon tregun, tha në një deklaratë se një punonjës u plagos në sulm. Pas alarmit të emergjencës, punonjësit u evakuuan nga objekti dhe zjarrfikësit po punonin për të shuar flakët, informoi ajo.
"Objekti logjistik në rajonin Vladimir u përfshi nga zjarri si pasojë e sulmit. Njerëzit janë evakuuar. Ekipet e zjarrfikësve po punojnë në vendngjarje. Sipas informacionit paraprak, nuk ka viktima", tha ajo.
Kompania theksoi se ka ridrejtuar operacionet logjistike, me dërgesat hyrëse dhe porositë e klientëve që po trajtohen përmes objekteve të tjera. Sulmi është i fundit në një seri sulmesh me dron në qendrat logjistike të "Wildberries" në javët e fundit.
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se forcat e saj kryen sulme me dronë gjatë natës në infrastrukturën e transportit ukrainas të përdorur nga ushtria ukrainase. Ministria pretendon se sulmet goditën tre anije mallrash në Detin e Zi që transportonin ngarkesa ushtarake si dhe një anije mallrash në portin e Mykolaiv-it që tha se po transportonte furnizime për forcat e armatosura ukrainase.
Ukraina nuk komentoi menjëherë mbi pretendimet ruse dhe verifikimi i pavarur është sfidues për shkak të konfliktit të vazhdueshëm.