Bota

CNN pezullon moderatorin Chris Cuomo për rolin në mbrojtjen e vëllait të tij

Rrjeti i njohur televiziv pezulloi në një kohë të pacaktuar moderatorin e saj "deri në pritje të vlerësimit të mëtejshëm"

Servet Günerigök   | 01.12.2021
CNN pezullon moderatorin Chris Cuomo për rolin në mbrojtjen e vëllait të tij

Washington

CNN pezulloi në një kohë të pacaktuar moderatorin e saj Chris Cuomo të martën për rolin e tij në mbrojtjen e vëllait të tij, guvernatorit të atëhershëm të New Yorkut, Andrew Cuomo, mbi pretendimet për ngacmim seksual, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, zëdhënësi i medias tha se prokurorja e përgjithshme e New Yorkut, Letitia James "të hënën publikoi ​​transkriptet dhe dëshmitë që hedhin dritë të re mbi përfshirjen e Chris Cuomo në mbrojtjen e vëllait të tij. Dokumentet, për të cilat ne nuk ishim në dijeni përpara publikimit të tyre publik, ngrenë pyetje serioze”.

“Kur Chris pranoi para nesh se kishte ofruar këshilla për stafin e vëllait të tij, ai shkeli rregullat tona dhe ne e pranuam këtë publikisht”, tha zëdhënësi. “Por, ne vlerësuam gjithashtu pozicionin unik në të cilin ai ishte dhe kuptuam nevojën e tij për të vënë familjen në rend të parë dhe punën në rend të dytë”, tha ai.

“Megjithatë, këto dokumente tregojnë për një nivel më të thellë të përfshirjes në përpjekjet e vëllait të tij nga sa ne e dinim më parë. Si rezultat, ne e kemi pezulluar Chris për një kohë të pacaktuar, në pritje të vlerësimit të mëtejshëm", shtoi zëdhënësi.

Pezullimi erdhi disa orë pasi një nga akuzueset e ish-guvernatorit, Charlotte Bennett, i bëri thirrje CNN që të shkarkonte vëllain e tij. Bennett akuzoi ish-shefin e saj se e kishte ngacmuar seksualisht kur ajo punonte për të.

"Gjithçka tjetër përveç shkarkimit të Chris Cuomo-s pasqyron një rrjet që i mungon morali dhe shtylla kurrizore", tha Bennett në një deklaratë.

Në shtator, Shelley Ross, ish-drejtore ekzekutive në ABC News, pretendoi se Chris Cuomo një herë e kishte kapur në mënyrë të papërshtatshme gjatë një feste 16 vjet më parë.

Cuomo iu bashkua CNN në vitin 2013 dhe që atëherë ka udhëhequr edicionin më të mirë të lajmeve të natës në rrjet.

Cuomo këshilloi vëllain e tij Andrew gjatë skandalit të tij të ngacmimit seksual këtë vit. Andrew Cuomo dha dorëheqje në gusht pasi dolën akuzat për ngacmime seksuale. Ai mohoi akuzat duke thënë se megjithë se kishte gabuar, ai kurrë nuk kishte për qëllim të ngacmonte askënd dhe shpesh puthte dhe përqafonte burra dhe gra.

    Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
    Tema relevante
    Bu haberi paylaşın