Bota

Çavuşoğlu: Lidhjet Turqi-BE tani janë në "një vend më pozitiv"

Në një konferencë për media me homologun e tij gjerman, kryediplomati turk theksoi se lidhjet midis kandidatit për anëtarësim në BE, Turqisë, si dhe bllokut evropian po bëhen më të mira edhe falë hapave konstruktive nga Evropa

Burak Bir,Merve Gül Aydoğan Ağlarcı   | 18.01.2021
Çavuşoğlu: Lidhjet Turqi-BE tani janë në "një vend më pozitiv" Foto: Fatih Aktaş/AA

Ankara

Mes një angazhimi të ri nga Turqia dhe Gjermania për të përmirësuar lidhjet dypalëshe, ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se marrëdhëniet midis vendit të tij dhe Bashkimit Evropian (BE) tani janë në "një vend më pozitiv", raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë të përbashkët për media në Ankara me homologun e tij gjerman, Heiko Maas, kryediplomati turk theksoi se lidhjet midis kandidatit për anëtarësim në BE, Turqisë, si dhe bllokut evropian po bëhen më të mira edhe falë hapave konstruktive nga Evropa.

Çavuşoğlu njoftoi se vitin e kaluar, vëllimi tregtar turko-gjerman arriti në 38 miliardë dollarë, pavarësisht sfidave nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19).

"Nëse do të thoja kapitujt e ri në negociata (të pranimit të Turqisë në BE) mund të hapen menjëherë, kjo nuk do të ishte e vërtetë, le të jemi realistë. Jo sepse ne nuk e duam atë, përkundrazi BE-ja nuk e don atë sepse ajo ka probleme me politikat e zgjerimit", tha Çavuşoğlu.

Por liberalizimi i vizave që BE premtoi për Turqinë në vitin 2016, sipas ministrit turk mund të zbatohet.

"Bisedimet e konsultimit midis Greqisë dhe Turqisë do të fillojnë më 25 janar falë mbështetjes së Gjermanisë", tha ai, duke përsëritur se Turqia është e gatshme të takohet me Greqinë për të diskutuar çështjet midis dy palëve.

Duke iu referuar armëpushimit të nëntorit të kaluar në Malësinë e Karabakut, Çavuşoğlu tha se tani ekziston një mundësi e rëndësishme për zgjidhje të përhershme në rajon pas një bllokimi politik pothuajse 30-vjeçar dhe pas 44 ditëve të konfliktit të armatosur.

"Po të kishte një armëpushim të përhershëm, Turqia dhe Azerbajxhani mund të ndërmerrnin hapa për të normalizuar marrëdhëniet me Armeninë, nëse ata besojnë në atë", tha Çavuşoğlu.

Gjatë konferencës për media, Çavuşoğlu tha se do të takohet me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, për përmirësimin e marrëveshjes së vitit 2016 për migracionin dhe për mbajtjen e një konference mbi Mesdheun Lindor të propozuar nga Turqia.

Çavuşoğlu po ashtu shtoi se gjatë takimit të dy kryediplomatët diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në Siri dhe në Libi. 

Thellimi i lidhjeve midis Turqisë dhe BE-së

Nga ana tjetër, Maas theksoi se ai shpreson për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Turqisë dhe BE-së.

Maas tha se debatet e vështira të vitit të kaluar për çështje si Mesdheu Lindor çuan në incidente fatkeqe, të tilla si ajo kur anijet luftarake të disa aleatëve u përballën. "Ne nuk duam të shohim më si këto incidente", u shpreh Maas.

Ai tha se është shumë i kënaqur me synimin e Turqisë për të filluar takime mbi eksplorimet me Greqinë, duke shtuar se shumë qeveri evropiane po ashtu mirëpresin këtë hap drejt një zgjidhjeje diplomatike për stabilitetin në rajon.

"Ne do të donim të bëjmë përpjekje për të rritur marrëdhëniet tona dypalëshe, si dhe lidhjet midis Turqisë dhe BE-së drejt një rruge zhvillimi me perspektivë me marrëdhënie të përhershme më konstruktive", tha Maas.

Ai shtoi se Evropa mund të mos e vlerësojë siç duhet Turqinë që strehon miliona refugjatë sirianë, por siç theksoi ai, ky veprim ka qenë një sukses.

Opozitari rus, Alexey Navalny dhe lojtari i futbollit, Mesut Özil

Më tej, kryediplomati gjerman i bëri thirrje Rusisë që "menjëherë" të lirojë politikanin rus të opozitës, Alexey Navalny, i cili u arrestua dje vonë pasi u kthye në vend.

44-vjeçari Navalny ishte në Gjermani për rreth pesë muaj për t'u trajtuar për helmim.

Sipas Gjermanisë dhe Francës, helmimi që e vendosi opozitarin rus në koma erdhi nga një agjent nervor i shkallës ushtarake nga lloji Novichok, i cili u zhvillua në Bashkimin Sovjetik dhe Rusi.

I pyetur lidhur me transferimin e futbollistit turk nga klubi anglez Arsenal në klubin turk Fenerbahçe, Maas tha se Özil shënoi një "sukses të madh" në ekipin kombëtar gjerman dhe shtoi se shpreson se ai "do të jetë i suksesshëm edhe në Turqi".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın