Britania: Sulmet e fundit izraelite në Gaza, krejtësisht të pamatura dhe të tmerrshme
Sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Yvette Cooper, i quajti të martën sulmet e fundit izraelite ndaj Gazës "krejtësisht të pamatura dhe të tmerrshme"

Stamboll
Sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Yvette Cooper, i quajti të martën sulmet e fundit izraelite ndaj Gazës "krejtësisht të pamatura dhe të tmerrshme", transmeton Anadolu.
"Sulmi i ri i IDF-së ndaj Gazës është krejtësisht i pamatur dhe i tmerrshëm. Ai vetëm sa do të sjellë më shumë gjakderdhje, do të vrasë më shumë civilë të pafajshëm dhe do të rrezikojë pengjet e mbetura", shkroi Cooper në llogarinë e medias sociale të kompanisë amerikane X.
Ajo përsëriti nevojën për armëpushim të menjëhershëm, lirimin e të gjitha pengjeve, ndihmë humanitare të pakufizuar dhe "një rrugë drejt paqes së qëndrueshme".
Të paktën 18 persona u vranë dhe mbi 40 të tjerë u plagosën të martën kur avionët luftarakë izraelitë shënjestruan disa zona në qytetin e Gazës dhe pjesën qendrore të enklavës, thanë burime mjekësore për AA-në.
Lufta e vazhdueshme e Izraelit në Gaza ka vrarë gati 65 mijë palestinezë që nga tetori 2023 dhe ka shkatërruar enklavën, e cila përballet me zi buke.
Një hetim i OKB-së i publikuar të martën zbuloi se lufta e Izraelit në Gaza është gjenocid. "Është e qartë se ekziston një qëllim për të shkatërruar palestinezët në Gaza përmes akteve që plotësojnë kriteret e përcaktuara në Konventën e Gjenocidit", tha Navi Pillay, kryetare e Komisionit të Pavarur Ndërkombëtar të Hetimit të OKB-së mbi Territorin e Pushtuar Palestinez.
Izraeli po përballet veçmas me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për shkak të luftës së tij në Rripin e Gazës.