Diyar Güldoğan
07 Qershor 2016•Përditësim: 07 Qershor 2016
ANKARA (AA) – Burrështetas, politikanë dhe organizata ndërkombëtare nga shtete të ndryshme kanë dënuar sulmin e sotëm terrorist në Stamboll i cili la të vrarë 11 persona, nga të cilët shtatë policë dhe katër civilë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kreu i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland në deklaratën e tij shkroi: "Përsëri sulm vdekjeprurës në Stamboll. Jam i tmerruar nga lajmi dhe vetëm mund të përsëris se sulmet mizore paraqesin sulm mbi vlerat tona”, shkroi mes tjerash Jagland.
Presidenti francez, François Hollande, gjithashtu e dënoi sulmin, duke thënë: "Ky akt i patolerueshëm i dhunës duhet më shumë se kurrë të konfirmojë vendosmërinë tonë të përbashkët për të luftuar të gjitha format e terrorizmit".
Ministria e Jashtme e Spanjës dënoi fuqishëm sulmin terrorist ndërkohë që përmes një deklaratë me shkrim përcolli ngushëllimet e saj në adresë të Turqisë.
Në një mesazh të postuar në llogarinë e tij në Twitter, sekretari i Jashtëm britanik, Philip Hammond shkroi: Mendja ime është te viktimat e sulmit të sotëm me bombë në Stamboll. Mbretëria e Bashkuar dënon këtë akt të pakuptimtë dhe të tmerrshëm të dhunës".
Ambasadori amerikan në Turqi, John Bass në llogarinë e tij në Twitter shkroi: "I pikëlluar thellë nga sulmi barbar terrorist në Stamboll. Kjo dhunë e pakuptimtë nuk mund të arsyetohet nga asnjë kauzë". Duke shprehur ngushëllimet e tij, Bass shtoi: "Ne e dënojmë këtë sulm monstruoz, dhe vazhdojmë të qëndrojmë krah për krah me Turqinë në luftën kundër terrorizmit".