Bota

Biden flet me aleatët evropianë përpara bisedës me presidentin rus Putin

Presidenti amerikan foli me liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë përpara se të zhvillojë një video-telefonatë me homologun rus

Jeyhun Aliyev   | 07.12.2021
Biden flet me aleatët evropianë përpara bisedës me presidentin rus Putin

Ankara

Presidenti i SHBA-së Joe Biden foli me aleatët kryesorë evropianë përpara bisedës së planifikuar të sotme me presidentin rus Vladimir Putin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në telefon të hënën, Biden foli me presidentin francez Emmanuel Macron, kancelaren gjermane Angela Merkel, kryeministrin italian Mario Draghi dhe kryeministrin e Britanisë Boris Johnson, njoftoi Shtëpia e Bardhë nëpërmjet një deklarate.

"Udhëheqësit diskutuan shqetësimin e tyre të përbashkët për grumbullimin e ushtrisë ruse në kufijtë e Ukrainës dhe retorikën gjithnjë e më të ashpër të Rusisë. Ata i kërkuan Rusisë të deeskalojë tensionet dhe ranë dakord se diplomacia, veçanërisht përmes Formatit të Normandisë, është e vetmja rrugë për zgjidhjen e konfliktit në Donbas nëpërmjet zbatimit të marrëveshjeve të Minskut”, thuhet në deklaratë.

Tensionet rreth aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 janë përkeqësuar nga separatistët e mbështetur nga Rusia në rajonin kufitar lindor të Donbasit, së bashku me një grumbullim të ushtrisë ruse, e cila është dënuar nga Perëndimi.

Marrëveshjet e Minskut u nënshkruan për të ndaluar konfliktin e vazhdueshëm midis separatistëve pro-rusë dhe administratës së Kievit.

Marrëveshjet përfshinin një armëpushim në rajon dhe shkëmbimin e të burgosurve, duke lejuar gjithashtu Kievin të miratojë një amendament kushtetues që do t'i jepte Donbasit një status të veçantë.

Forcat separatiste pro-ruse, nga ana tjetër, supozohej të tërhiqeshin nga kufiri ukraino-rus.

Megjithatë, zbatimi i marrëveshjeve është penguar pasi të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit.

Biden dhe liderët evropianë theksuan gjithashtu mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, thuhet në deklaratë.

"Ata ranë dakord që ekipet e tyre do të qëndrojnë në kontakt të ngushtë, duke përfshirë konsultimin me aleatët e NATO-s dhe partnerët e BE-së, për një qasje të koordinuar dhe gjithëpërfshirëse", shtoi ai.

Më herët, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, bëri të ditur se i gjithë takimi virtual do të jetë i mbyllur, nuk do të ketë transmetim të drejtpërdrejtë, ndërsa video e minutave të para të takimit do të shpërndahet në faqen e Kremlinit.

Putin dhe Biden do të diskutojnë tensionet rreth Ukrainës, avancimin e NATO-s drejt kufijve rusë dhe kërkesën e Moskës për të dhënë garanci për moszgjerimin e aleancës dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë samitit të Gjenevës në qershor.

Takimi pritet të jetë një bisedë e drejtpërdrejtë mes dy liderëve, por Peskov pranoi se në të mund të marrin pjesë edhe disa zyrtarë të tjerë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.