Bota

BE thirrje Izraelit të ndalë ndërtimin e vendbanimeve të reja në territoret palestineze

"BE-ja përsërit thirrjen e saj për qeverinë izraelite që të ndalë ndërtimet e vendbanimeve dhe të kthejë menjëherë vendimet e saj të fundit", thuhet në deklaratë

Ömer Tuğrul Çam  | 06.05.2021 - Përdıtësım : 06.05.2021
BE thirrje Izraelit të ndalë ndërtimin e vendbanimeve të reja në territoret palestineze

Bruksel

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Izraelit që të heqë dorë nga vendimi për të ndërtuar vendbanime të reja në territoret palestineze nën okupim, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyra e Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të jashtme dhe Siguri të BE-së, Josep Borrell bëri një deklaratë lidhur me zgjerimin e vendbanimeve nga Izraeli dhe lidhur me situatën në Kudsin Lindor.

Në deklaratë rikujtohet qëndrimi i fundit i autoriteteve izraelite për të ndërtuar 540 banesa të reja në Har Homa ndërsa theksohet se këto plane dhe vendosja në zbatim i vendbanimeve në Givat Hamatos do të ndërpresin lidhjen mes Kudsit Lindor dhe Betlehemit, gjithashtu do të minojnë edhe negociatat për zgjidhjen me dy shtete.

Më tej thuhet se sipas ligjit ndërkombëtar të gjitha vendbanimet që ndodhen në territoret palestineze nën okupim janë të paligjshme dhe se BE-ja nuk do të njohë ndryshimet që do të bëhen pa një marrëveshje për kufijtë e vitit 1967 përfshirë Kudsin.

"BE-ja përsërit thirrjen e saj për qeverinë izraelite që të ndalë ndërtimet e vendbanimeve dhe të kthejë menjëherë vendimet e saj të fundit", thuhet në deklaratë.

Shembja e ndërtesave të palestinezëve në Kudsin Lindor, rritja e ngjarjeve për të nxjerrë palestinezët nga shtëpitë e tyre dhe shembjet e reja të mundshme, janë shqetësuese thuhet në deklaratë.

"Veprime të tilla të njëanshme janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe nuk shërbejnë për asgjë tjetër veçse rrisin tensionet. Autoritetet izraelite duhet t'u japin fund këtyre aktiviteteve, të japin lejet e përshtatshme për ndërtime ligjore dhe për zhvillimin e komuniteteve palestineze. Nën dritën e zhvillimeve të fundit të përjetuar në jug të Izraelit dhe në territoret palestineze nën pushtim, BE-ja përsërit se e dënon kategorikisht dhunën si dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve për qetësi dhe vetëpërmbajtje në këtë periudhë të ndjeshme", thuhet mes tjerash.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.