Bota

BE: Përdorimi i forcës ndaj protestuesve në Irak, i trishtueshëm

"Sulmet e forcave të armatosura kundër protestuesve dëmtojnë të drejtën e tyre për t‘u mbledhur dhe për të shprehur kërkesat e tyre legjitime", thuhet në deklaratë

Şerife Çetin   | 07.11.2019
BE: Përdorimi i forcës ndaj protestuesve në Irak, i trishtueshëm

Bruksel

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini, ka reaguar kundër përdorimit të forcës të tepërt në protestat e zhvilluara në Irak, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga Mogherini, në emër të 28 vendeve anëtare të BE-së thuhet se populli irakian gëzon të drejtën e tij të ligjshme për t‘u mbledhur për të shprehur pakënaqësinë ndaj problemeve të tyre dhe se duhet të respektohet kjo e drejtë në përputhje me Kushtetutën e Irakut.

"Përdorimi i tepërt i forcës kundër protestuesve në Irak është shumë i trishtueshëm. Sulmet e forcave të armatosura kundër protestuesve dëmtojnë të drejtën e tyre për t‘u mbledhur dhe për të shprehur kërkesat e tyre legjitime", thuhet në deklaratë, ku njoftohet se shumë persona kanë humbur jetën pavarësisht thirrjeve të bëra vazhdimisht për vetëpërmbajtje.

BE-ja pret ndëshkimin e përgjegjësve në ngjarjet e ndodhura dhe gjithashtu Unioni mbështet në mënyrë të fuqishme sovranitetin dhe unitetin territorial të Irakut.

BE-ja është e gatshme të ndihmojë qeverinë e Irakut në përmbushjen e kërkesave të qytetarëve të saj, thuhet mes tjerash në deklaratë.

- Protestat e përgjakshme në Irak

Irakianët po zhvillojnë protesta në rajone të ndryshme të vendit kundër papunësisë, korrupsionit dhe mungesës së shërbimeve publike. Protestuesit në vend filluan protestat e tyre më 1 tetor dhe pas një pauze, për shkak të ceremonive Arbain, ata rifilluan sërish protestat më 25 tetor.

Misioni i OKB-së për Irakun ka njoftuar se në protestat në vend që vazhdojnë nga 1 tetori kanë humbur jetën 254 protestues dhe mijëra të tjerë janë plagosur.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın