Bota

BE kërkon ndalimin e përhershëm të fluturimeve Irak-Bjellorusi

"Autoriteteve irakiane u përsërita edhe një herë në mënyrë të fuqishme përgëzimet tona për shkak të vendimeve të tyre për pezullimin e përkohshëm të fluturimeve dhe u kam kërkuar atyre që fluturimet të ndalen në mënyrë të përhershme", tha Borrell

Ömer Tuğrul Çam   | 08.09.2021
BE kërkon ndalimin e përhershëm të fluturimeve Irak-Bjellorusi Foto: AA/Arkiv

Bruksel

Bashkimi Evropian (BE), pas mbërritjes së emigrantëve të parregullt nga Bjellorusia në vendet Baltike, i kërkoi qeverisë së Irakut që t'u japë fund në mënyrë të përhershme fluturimeve nga Iraku drejt Bjellorusisë të cilat janë të pezulluara përkohësisht, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, në një shkrim në blog që publikoi pas vizitës së tij dyditore në Irak, vuri në dukje se me zyrtarët irakianë ka biseduar për dosjen e emigracionit dhe se për këtë çështje dëshirojnë të jenë në bashkëpunim me Irakun.

"Autoriteteve irakiane u përsërita edhe një herë në mënyrë të fuqishme përgëzimet tona për shkak të vendimeve të tyre për pezullimin e përkohshëm të fluturimeve me Bjellorusinë dhe u kam kërkuar atyre që fluturimet të ndalen në mënyrë të përhershme", deklaroi Borrell.

"U dakorduam që shtetasit irakianë të mos përdoren si mjet nga organizatat kriminale", tha Borrell, i cili theksoi se autoritetet irakiane janë të vetëdijshme se kjo çështje ka shumë rëndësi për BE-në.

Vendet e BE-së si Polonia, Lituania dhe Letonia të cilat janë në kufi me Bjellorusinë e akuzojnë qeverinë bjelloruse se "shtyn" në vendet e tyre emigrantët e parregullt të ardhur nga vendet si Afganistani, Iraku dhe Siria dhe se Bjellorusia i përdor emigrantët si mjet kundër BE-së.

BE zbaton sanksione ndaj Bjellorusisë me arsyetimin se janë kryer mashtrime në zgjedhjet presidenciale të mbajtura në gusht 2020 dhe se është ushtruar presion mbi opozitën. Sanksionet që përfshijnë edhe presidentin Alexander Lukashenko përfshijnë praktika si kufizime të udhëtimeve dhe ngrirjen e aseteve.

Përveç BE-së ndaj Bjellorusisë vazhdojnë të zbatojnë sanksione edhe Britania dhe SHBA-ja, ndërsa Rusia përkundër sanksioneve ofron mbështetje ndaj qeverisë së Bjellorusisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın