Bota

BE këtë muaj do të propozojë ligj për certifika COVID-19

Sistemi i zakonshëm i certifikimit COVID-19 synon të sigurojë "provë se një person është vaksinuar, rezultate të testeve për ata të cilët akoma nuk mund të vaksinohen dhe informacione mbi shërimin nga COVID-19"

Ekip   | 01.03.2021
BE këtë muaj do të propozojë ligj për certifika COVID-19 Foto: AA/Arhiv

Bruksel

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se këtë muaj do të propozohet një ligj i Bashkimit Evropian (BE) për certifikata të vaksinimit kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

"Këtë muaj do të paraqesim një propozim legjislativ për një Pasaportë të Gjelbër Dixhitale", njoftoi në twitter von der Leyen.

Sistemi i zakonshëm i certifikimit COVID-19, i cili qysh në muajin qershor pritet të funksionojë, synon të sigurojë "provë se një person është vaksinuar, rezultate të testeve për ata të cilët akoma nuk mund të vaksinohen dhe informacione mbi shërimin nga COVID-19".

Në konferencën e rregullt për media, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer, tha se Pasaporta e Gjelbër Dixhitale do të tregojë rezultate mjekësore në mënyrë që të lehtësojë udhëtimet brenda bllokut.

Propozimi i Komisionit Evropian ka për qëllim të ngre levat e BE-së për kufizimet e udhëtimit të vendosura nga vendet anëtare të bllokut për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Mbyllja e kufijve dhe kufizimet e ndryshme të udhëtimit provokuan mosmarrëveshje midis vendeve anëtare të BE-së dhe ato po ashtu u kritikuan nga Komisioni Evropian.

Javën e kaluar, Komisioni Evropian për herë të dytë u rikujtoi gjashtë vende anëtare të BE-së, respektivisht Gjermanisë, Belgjikës, Suedisë, Finlandës, Danimarkës dhe Hungarisë, që të respektojnë rregullat e bllokut në lëvizjen e lirë duke miratuar masa proporcionale dhe të nevojshme të ndalimeve të plota të udhëtimit.

Megjithatë, propozimi për certifikata të vaksinimit do të duhet të miratohet nga qeveritë e vendeve të BE-së dhe Parlamenti Evropian.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.