Melike Pala
31 korrik 2026•Përditësim: 31 korrik 2026
Komisioni Evropian bëri thirrje që të shmangen spekulimet për çfarëdo veprimi të mundshëm në kuadër të mekanizmit të vlerësimit të Shengenit pas hyrjeve masive të fundit të migrantëve të parregullt në enklavën spanjolle Ceuta në Afrikën e Veriut, duke theksuar se situata mbetet në zhvillim dhe se po zbatohen rregullat ekzistuese kufitare, transmeton Anadolu.
“Në këtë fazë, ngjarjet janë ende duke u zhvilluar, prandaj çdo spekulim do të ishte i parakohshëm. Kjo nuk mund të ndodhë sot”, u tha gazetarëve në Bruksel një zyrtar i lartë i BE-së.
Komentet erdhën pasi ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani tha se ishte “pro mbylljes së zonës Shengen për Spanjën”, ndërsa zëvendëskryeministri Matteo Salvini shprehu mbështetje për këtë propozim.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni më vonë tha se Roma është e gatshme të ndërmarrë “masa të jashtëzakonshme” për të mbrojtur kufijtë e vendit. Spanja reagoi duke thirrur ambasadorin italian.
Zyrtari i lartë i BE-së tha se kuadri ligjor që rregullon Ceutën dhe enklavën tjetër spanjolle, Melilla, tashmë përmban garanci specifike, duke theksuar se këto territore funksionojnë sipas një regjimi të veçantë në Kodin Kufitar të Shengenit.
“Ka kontrolle kufitare që duhet të kryhen... kontrolle në kufirin e jashtëm që duhet të zhvillohen ndërmjet Ceutës dhe Melillës dhe pjesës tjetër të zonës Shengen”, tha ai, duke shtuar se bëhet fjalë për kontrolle në kufijtë e jashtëm dhe jo për kontrolle të brendshme të Shengenit.
“Deri tani nuk ka pasur lëvizje të mëtejshme nga Ceuta”, tha zyrtari, duke shtuar se autoritetet spanjolle mbeten përgjegjëse për menaxhimin e kufirit të jashtëm të BE-së.
I pyetur nëse shqetësimet e ngritura nga disa shtete anëtare mund të çojnë në një rishikim të Shengenit, zyrtari iu referua sistemit ekzistues të monitorimit të bllokut, por theksoi se çdo diskutim do të ishte i parakohshëm.
BE-ja ka “një mekanizëm të posaçëm monitorimi dhe vlerësimi”, tha ai, duke e përshkruar atë si një sistem vlerësimi mes shteteve, në të cilin Komisioni Evropian, agjencitë e BE-së dhe shtetet anëtare vlerësojnë rregullisht mënyrën se si zbatohen rregullat e Shengenit.
Nëse inspektorët konstatojnë mangësi serioze në një pikëkalim kufitar, Komisioni Evropian mund të hartojë një raport, i cili fillimisht diskutohet me shtetin anëtar përkatës dhe më pas shqyrtohet nga qeveritë e vendeve anëtare në Këshillin e BE-së, i cili mund të kërkojë një plan urgjent veprimi për të adresuar mangësitë, shpjegoi zyrtari.
Komisioni përsëriti gjithashtu se po ndjek nga afër zhvillimet në Ceuta dhe mbetet në kontakt si me Spanjën, ashtu edhe me Marokun.
“Situata po ndryshon nga ora në orë”, tha zyrtari.
Ndërsa personeli i Frontex-it tashmë është i vendosur për të ndihmuar në kontrollet e rregullta kufitare në portin që lidh Ceutën me territorin kontinental të Spanjës, zyrtari tha se Madridi nuk ka kërkuar mbështetje shtesë operacionale.
Sipas Komisionit, aktualisht rreth 20 deri në 30 oficerë të Frontex-it janë të dislokuar në Ceuta për të ndihmuar në kontrollet e zakonshme kufitare.
Autoritetet marokene kanë forcuar kontrollet, duke përfshirë anulimin e shërbimeve të trenave dhe autobusëve drejt veriut të vendit për të parandaluar nisje të tjera drejt Ceutës, tha gjithashtu Komisioni.
Brukseli tha se po diskuton gjithashtu me Rabatin mënyra për të forcuar më tej bashkëpunimin, veçanërisht në luftën kundër rrjeteve të kontrabandës së migrantëve dhe në forcimin e kapaciteteve të Marokut për menaxhimin e kufijve.
Bazuar në informacionet më të fundit në dispozicion të Komisionit Evropian, mijëra migrantë janë kthyer tashmë vullnetarisht në Marok, një zhvillim që Brukseli e mirëpriti.
Sipas vlerësimeve fillestare të forcave spanjolle të sigurisë, të cituara nga agjencia e lajmeve EFE, rreth 49 mijë migrantë të parregullt hynë në Ceuta nga Maroku ditët e fundit. Që atëherë, mijëra prej tyre kanë filluar të kthehen vullnetarisht në Marok përmes të njëjtës pikëkalim nga e cila kishin hyrë.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez tha se qeveria po mobilizon të gjitha burimet në dispozicion për t’iu përgjigjur këtyre zhvillimeve.