Bota, Koronavirusi

BE dyfishon vaksinat COVID-19 të BioNTech/Pfizer me 300 milionë doza të reja

Me kontratën e re, Bashkimi Evropian (BE) do të mund të blejë 200 milionë doza të tjera me një mundësi për 100 milionë të tjera, përveç 300 milionë dozave tashmë të siguruara

Ekip   | 08.01.2021
BE dyfishon vaksinat COVID-19 të BioNTech/Pfizer me 300 milionë doza të reja

Ankara

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se institucioni që drejton ajo ka rënë dakord të dyfishojë numrin e vaksinave të koronavirusit të ri (COVID-19) me kompanitë farmaceutike BioNTech dhe Pfizer, transmeton Anadolu Agency (AA).

Me kontratën e re, Bashkimi Evropian (BE) do të mund të blejë 200 milionë doza të tjera me një mundësi për 100 milionë të tjera, përveç 300 milionë dozave tashmë të siguruara.

"75 milionë doza do të jenë në dispozicion në tremujorin e dytë të vitit dhe pjesa tjetër në tremujorin e tretë dhe të katërt. Pa investuar në ndërtimin e kapaciteteve tona në fillim, ne nuk do të kishim mundur të dyfishojmë numrin e vaksinave", tha para mediave von der Leyen.

Ajo po ashtu theksoi se BE-ja arriti marrëveshje me gjashtë kompani farmaceutike, përkatësisht me Pfizer/BioNTech, Moderna, AstraZeneca, CureVac, Johnson&Johnson dhe Sanofi/GlaxoSmithKline.

"Nëse të gjitha janë efektive, në dispozicion do të jenë 2,3 miliardë vaksina. Kjo është më shumë se e mjaftueshme për ne. Nuk duhet të mendojmë vetëm për veten, por edhe për vendet e tjera që kërkojnë mbështetjen tonë", tha von der Leyen.

Vendet anëtare të BE-së duhet të miratojnë marrëveshjen e re të vaksinave.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.