Melike Pala
05 gusht 2026•Përditësim: 05 gusht 2026
Autoritetet në rajonin e kryeqytetit të Belgjikës, Bruksel, kanë zgjatur një alarm të verdhë të thatësirës pasi nivelet e ujërave nëntokësore vazhdojnë të bien dhe moti i thatë vazhdon, transmeton Anadolu.
Vendimi është marrë nga njësia rajonale e thatësirës së bashku me ndërmarrjen e ujësjellësit "Vivaqua", [ortin e Brukselit dhe "Safe.brussels" pas vlerësimit të situatës në zhvillim.
Sipas indeksit të thatësirës të Institutit Mbretëror Meteorologjik, kushtet në rajonin e Brukselit po lëvizin drejt një gjendjeje të thatë ndërsa pjesa më e madhe e Belgjikës po përjeton kushte që variojnë nga "e thatë" në "jashtëzakonisht e thatë".
Megjithëse furnizimet me ujë të pijshëm mbeten të qëndrueshme, "Vivaqua" paralajmëroi se thatësira e zgjatur dhe valët e njëpasnjëshme të të nxehtit po bëjnë presion në rritje mbi burimet e disponueshme ujore.
Autoritetet u kërkuan banorëve të shmangin përdorimin jo thelbësor të ujit ndërsa thatësira vazhdon, duke përfshirë larjen e makinave, mbushjen e pishinave, pastrimin e trotuareve dhe tarracave dhe ujitjen e lëndinave dhe bimëve zbukuruese.
Thatësira e zgjatur ka rritur rrezikun e zjarreve. Rreziku i zjarrit në pyje në rajonin e Brukselit mbetet në kodin portokalli, që tregon rrezik shumë të lartë ndërsa rajoni i Flamanisë ka qenë nën alarm të koduar portokalli thatësire që nga mesi i korrikut.
Porti i Brukselit tha se po merr masa për të ruajtur nivelet e ujit në kanalin e Brukselit pavarësisht kushteve të zgjatura të thata.