Bota

Australia nga 1 dhjetori do t'i hapë kufijtë për të huajt me dy doza të vaksinës

Australia e cila ishte e mbyllur për gati 20 muaj, me rihapjen e kufijve ka ofruar 235 mijë viza, të cilët priten të hyjnë në vend gjatë muajve dhjetor dhe janar

Recep Şakar   | 22.11.2021
Australia nga 1 dhjetori do t'i hapë kufijtë për të huajt me dy doza të vaksinës Foto: Recep Şakar / AA

Queensland

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison tha se kufijtë ndërkombëtarë të vendit që janë të mbyllur që nga marsi i vitit 2020 në kuadër të luftës kundër COVID-19, do të hapen duke filluar nga 1 dhjetori për personat që posedojnë viza, transmeton Anadolu Agency (AA).

Morrison në konferencën për media në kryeqytetin Canberra tha se kanë lejuar që në fillim të muajit nëntor australianët me dy doza kundër COVID-19 të mund të udhëtojnë në vendet e huaja, ndërsa nga 1 dhjetori do të lejojnë hyrjen e të gjithë studentëve, mbajtësit e vizave të biznesit dhe migrantëve në Australi nëse janë vaksinuar plotësisht.

Ai e cilësoi si "një hap të rëndësishëm" hapjen e kufijve. "Kthimi i punëtorëve të kualifikuar dhe studentëve në Australi është një moment historik i rëndësishëm në rrugën tonë për t'u kthyer në normalitet", u shpreh ai.

Me këtë hap do të lejohet hyrja e turistëve të vaksinuar nga Koreja e Jugut dhe Japonia.

Australia e cila ishte e mbyllur për gati 20 muaj, me rihapjen e kufijve ka ofruar 235 mijë viza, të cilët priten të hyjnë në vend gjatë muajve dhjetor dhe janar.

Personat që do të arrijnë në vend duhet të dorëzojnë tek autoritetet dokumentin që tregon vaksinim të plotë me njërën nga vaksinat e miratuara nga Administrata e Produkteve Terapeutike.

Gjithashtu personat duhet të sigurojnë teste negative PCR jo më të vjetra se 72 orë ndërsa kur do të arrijnë në vend t'i respektojnë rregullat e karantinës së shtetit.

Deri më tani 199.651 persona janë diagnostikuar me COVID-19 ndërsa 1.948 e kanë humbur jetën.

Vendi ende ka 12.647 raste aktive. Sipas informacioneve përqindja e dy dozave të administruara në vend është 85.1 për qind kurse e tyre me një dozë 91.5 për qind.

Zelanda e Re shënon 205 raste të reja

Ministria e Shëndetësisë së Zelandës së Re, në 24 orët e fundit ka shënuar 205 raste të reja me COVID-19.

Momentalisht janë 4.648 raste aktive prej të cilëve 6 janë duke u trajtuar në kujdesin intensiv.

Deri më tani 10.176 persona janë diagnostikuar me virus ndërsa 40 persona e kanë humbur jetën.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın