Bota

Australia dërgon forca policore dhe personel ushtarak mes protestave në ishujt Solomon

Vendosja e forcave policore dhe personelit ushtarak vjen pasi kryeministri i ishujve Solomon, Manasseh Sogavare, e kërkoi këtë nga Australia pas protestave të dhunshme anti-qeveritare që u mbajtën dje në kryeqytetin Honiara

Riyaz Khaliq Khaliq   | 25.11.2021
Australia dërgon forca policore dhe personel ushtarak mes protestave në ishujt Solomon

Stamboll

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, ka bërë të ditur se vendi po dërgon forca policore dhe personel ushtarak në ishujt Solomon derisa kombi i ishullit të Paqësorit po përballet me trazira në ditën e dytë me radhë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vendosja e forcave policore dhe personelit ushtarak vjen pasi kryeministri i ishujve Solomon, Manasseh Sogavare, e kërkoi këtë nga Australia pas protestave të dhunshme anti-qeveritare që u mbajtën dje në kryeqytetin Honiara.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Sogavare. Fotot dhe videot në mediat sociale tregojnë se disa objekteve infrastrukturore iu është vendosur flaka nga protestuesit.

Një stacion i policisë dhe një godinë në zonën e parlamentit po ashtu është djegur.

Kryeministri australian njoftoi se 23 oficerë të policisë federale australiane janë rrugës për në Honiara për të ndihmuar në kontrollin e trazirave. Ai shtoi se 43 njerëz të tjerë të forcave të mbrojtjes australiane do të dërgohen nesër për të ndihmuar në "ruajtjen e infrastrukturës kritike".

Sogavare ka vendosur një bllokim 36-orësh në kryeqytetin Honiara, por demonstruesit në ditën e dytë të protestave kanë kundërshtuar urdhrat e kryeministrit të tyre.

"Kjo është një ngjarje e trishtueshme dhe fatkeqe që synon rrëzimin e një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike", tha Sogavare.

Më vonë, demonstruesit marshuar drejt lagjes periferike ‘China Town’ të kryeqytetit Honiara, ku thuhet se dëmtuan infrastrukturën.

Në ishujt Solomon, vend me rreth 700 mijë banorë, policia përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome për të ndërprerë protestat.

"Qëllimi ynë këtu është të ofrojmë stabilitet dhe siguri për të mundësuar që proceset normale kushtetuese brenda ishujve Solomon të jenë në gjendje të merren me çështjet që janë ngritur", u tha Morrison gazetarëve në Canberra.

Ai sqaroi se Australia nuk dëshiron të ndërhyjë në "asnjë mënyrë në punët e brendshme të ishujve Solomon”.

Kryeministri Morrison, megjithatë, tha se policët australianë do të posedojnë "armë vdekjeprurëse dhe kryesisht jo-vdekjeprurëse, por jo ekskluzivisht për qëllime të mbrojtjes së forcës".

Po ashtu edhe kryeministri i Papua Guinesë së Re fqinje, James Marape, u bëri thirrje protestuesve që të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të respektojnë sundimin e ligjit.

Sipas transmetuesit australian ABC, demonstruesit i përkasin kryesisht provincës Malaita, rajonit më të populluar të vendit.

Vendasit po kërkojnë zhvillim në rajon pasi shumë njerëz i lidhin demonstratat me zhvendosjen e vitit 2019 të marrëdhënieve diplomatike të ishujve Solomon nga Tajvani në Kinë.

Kryeministri i provincës Malaita, Daniel Suidani, ka kundërshtuar masën për të zhvendosur marrëdhëniet diplomatike në Pekin.

Tajvani, një ishull i vetëqeverisur të cilin Kina e pretendon si "provincë të saj të shkëputur", i ka ofruar Malaita-s ndihmë për pandeminë COVID-19, ndërsa kryeministri Suidani në muajin maj udhëtoi në Tajvan për një trajtim mjekësor.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.