Bota

Armin Laschet zgjidhet në krye të CDU-së në Gjermani

Laschet është baba i tre fëmijëve. Në vitin 2017 ai u bë kryeministër i shtetit federal North Rhine-Westphalia e cila ka numrin më të madh të banorëve në Gjermani

Erbil Başay   | 16.01.2021
Armin Laschet zgjidhet në krye të CDU-së në Gjermani

Berlin

Armin Laschet u zgjodh udhëheqës i ri i partisë së Unionit Kristian Demokrat (CDU), partisë së kancelares Angela Merkel në Gjermani, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në Asamblenë e 33-të të Përgjithshme të CDU-së që u zhvillua nëpërmjet internetit për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19) garuan kryeministri i shtetit federal North Rhine-Westphalia, Armin Laschet, ish-deputeti Friedrich Merz dhe kreu i komisionit të jashtëm të Parlamentit Federal, Norbert Röttgen

Në raundin e parë të zgjedhjeve Merz mori 385 vota nga 992 vota të vlefshme. Delegatët dhanë 380 vota për Laschet dhe 224 për Röttgen ndërsa 3 delegatë abstenuan.

Zgjedhjet kaluan në raundin e dytë për shkak se asnjë nga kandidatët nuk mori vota më shumë se gjysma e delegatëve.

Në raundin e dytë në garën mes dy kandidatëve që morën më shumë vota, Laschet mori 521 vota nga 991 të vlefshme duke u zgjedhur kreu i ri i CDU-së ndërsa Merz mori 466 vota. Gjatë këtij votimi 4 delegatë abstenuan.

Në këtë mënyrë Armin Laschet bëhet kryetari i 9-të i përgjithshëm i CDU-së.

Në mënyrë që votimi i zhvilluar nëpërmjet internetit të konfirmohet edhe zyrtarisht është e nevojshme që delegatët të miratojnë këtë votim edhe nëpërmjet letrës.

Armin Laschet

Armin Laschet ka lindur në vitin 1961 në qytetin Aachen në shtetin North Rhine-Westphalia. Gjatë viteve 1981-1987 ka studiuar për drejtësi në Mynih dhe Bon ndërsa në vitet 1987-1988 ka studiuar për gazetari.

Deri në vitin 1994 ka punuar si gazetar i pavarur në Bavari. Në të njëjtën kohë ka ushtruar detyrën e këshilltarit për Rita Süssmuth, kryetares së Parlamentit Federal të të njëjtës periudhë. Gjatë viteve 1994-1998 ka ushtruar detyrën e deputetit në Parlamentin Federal dhe gjatë 1999-2005 në Parlamentin Evropian.

Në periudhën 2005-2010, Laschet ka ushtruar detyrën e ministrit për Gratë, Familjen dhe Integrimin në North Rhine-Westphalia. Gjatë detyrës së tij, Laschet formoi marrëdhënie të afërta me turqit në rajon dhe kontribuoi në miqësinë turko-gjermane.

Laschet është baba i tre fëmijëve. Në vitin 2017 ai u bë kryeministër i North Rhine-Westphalia e cila ka numrin më të madh të banorëve në Gjermani me rreth 18 milionë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın