Bota

Anketim: Shumica e amerikanëve kundërshtojnë një operacion të mundshëm ushtarak kundër Venezuelës

Sipas anketimit, 70 për qind e pjesëmarrësve janë shprehur se kundërshtojnë që SHBA-ja të ndërmarrë operacion ushtarak në Venezuelë, ndërsa 30 e tyre kanë pohuar se e mbështesin atë

Ecem Şahinli Ögüç  | 24.11.2025 - Përdıtësım : 24.11.2025
Anketim: Shumica e amerikanëve kundërshtojnë një operacion të mundshëm ushtarak kundër Venezuelës

Ankara

Një anketim në SHBA ka zbuluar se shumica e amerikanëve janë kundër një operacioni të mundshëm ushtarak kundër Venezuelës, transmeton Anadolu.

Në anketën e kryer nga CBS News dhe kompania kërkimore YouGov më 19-21 nëntor morën pjesë 2.489 amerikanë.

Sipas anketimit, 70 për qind e pjesëmarrësve janë shprehur se kundërshtojnë që SHBA-ja të ndërmarrë operacion ushtarak në Venezuelë, ndërsa 30 e tyre kanë pohuar se e mbështesin atë.

Vetëm 13 për qind e të anketuarve thanë se Venezuela përbën një kërcënim "serioz" për sigurinë e SHBA-së, ndërsa 48 për qind u shprehën se përbën një "kërcënim të vogël" dhe 39 për qind e tyre se nuk përbën "aspak kërcënim".

Ndërkohë, 56 për qind e të anketuarve thanë se një operacion i mundshëm ushtarak amerikan kundër Venezuelës nuk do të ndryshonte sasinë e drogës që hyn në vend.


- Lëvizjet në Karaibe

Presidenti amerikan, Donald Trump, në kuadrin e një dekreti të nënshkruar më parë urdhëroi përdorimin e shtuar dhe më efektiv të ushtrisë për të luftuar kartelet e drogës në Amerikën Latine.

Në këtë kontekst, në fund të gushtit SHBA-ja dërgoi një forcë detare të përbërë nga nëndetëse dhe anije luftarake pranë brigjeve të Venezuelës dhe Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se ushtria amerikane është gati për operacione, përfshirë ndryshimin e regjimit në Venezuelë.

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, në përgjigje njoftoi mobilizimin e 4.5 milionë forcave milicie në vend dhe gatishmërinë për të zmbrapsur çdo sulm.

Shënjestrimi i vazhdueshëm i anijeve pranë brigjeve të Venezuelës nga SHBA-ja për trafik droge ka shkaktuar kritika si nga qeveria venezuelase ashtu edhe nga komuniteti ndërkombëtar, ku është mbrojtur ideja se sulmet janë "në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar".

Aeroplanmbajtësja më e madhe në botë "USS Gerald R. Ford" dhe grupi i saj i sulmit, i dërguar nga SHBA-ja për të luftuar trafikimin e drogës, thuhet se kanë arritur në rajonin e Amerikës Latine.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.