Politikë, Bota

Ambasadori turk: Turqia dhe Franca miq të ngushtë, pavarësisht rrethanave aktuale

"Duhet ta pranojmë se kemi pasur ditë më të mirë në të kaluarën. Megjithatë, procesi që po kalojmë sot është ciklik. Sigurisht, sot ka mosmarrëveshje serioze midis dy kombeve, por do të ishte e ekzagjeruar të flitej për një pikë të parevokueshme"

Sena Güler  | 18.09.2020 - Përdıtësım : 19.09.2020
Ambasadori turk: Turqia dhe Franca miq të ngushtë, pavarësisht rrethanave aktuale

Ankara

Ambasadori turk në Paris, İsmail Hakkı Musa, tha se Turqia dhe Franca mbeten miq të ngushtë, pavarësisht mosmarrëveshjeve dhe rrethanave, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Ne duhet ta pranojmë se kemi pasur ditë më të mirë në të kaluarën. Megjithatë, procesi që po kalojmë sot është ciklik. Sigurisht, sot ka mosmarrëveshje serioze midis dy kombeve, por do të ishte e ekzagjeruar të flitej për një pikë të parevokueshme midis Turqisë dhe Francës", tha Musa në një transmetim të drejtpërdrejtë për kanalin televiziv France 24.

"Pavarësisht rrethanave, kombi turk dhe ai francez janë miq të ngushtë", theksoi Musa.

Duke theksuar se dialogu ende është i mundur midis dy vendeve, ambasadori turk tha se është e natyrshme të kesh ide të ndryshme.

Ai tha se Franca dëshironte të qëndrojë me Greqinë për arsyet e veta, por sipas tij, "do të ishte më mirë të mos qëndrojmë me një palë që nuk kalon mirë në rajon dhe qëndrimi i kundërt vetëm do të kontribuojë në një rritje të tensioneve".

Duke kujtuar se Turqia në vitin 2004 paraqiti lajmërimin për caktimin e ndarjes kontinentale në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), ku Franca është një anëtare e përhershme, Musa tha se anija e kërkimeve sizmike Oruç Reis e Turqisë kryen aktivitete brenda asaj zone.

Ai po ashtu kujtoi se administrata qipriote greke midis viteve 2003 dhe 2018 nënshkroi një marrëveshje me Egjiptin, Libanin dhe Izraelin, ndërsa Greqia nënshkroi marrëveshje me Egjiptin që shkel ndarjen kontinentale të Turqisë.

Musa tha se ato vende po ashtu filluan aktivitetet e shpimit në Mesdheun Lindor në vitin 2011 dhe shtoi se paralajmërimet dhe thirrjet e Turqisë për dialog se aktivitete të tilla nuk mund të kryhen në një zonë ku nuk janë përcaktuar kufijtë u lanë të pambikëqyrura. 

"Në fund të fundit, Turqia nuk kishte zgjidhje tjetër përveç se të niste aktivitetet e saj të shpimit në vitin 2018. Marrëveshja e arritur me Libinë po ashtu duhet të shihet nga ky kënd, pasi ne nuk mund të qëndrojmë duarkryq dhe të shikojmë duke u kryer aktivitetet që shkelin të drejtat tona të sovranitetit në ndarjen tonë kontinentale", tha ai.

Zyrtarët turq kanë dënuar ndërhyrjen e Francës në mosmarrëveshjen e Mesdheut Lindor, duke theksuar se ajo ka territor në rajon. Komentuesit kanë argumentuar se presidenti Emmanuel Macron po përpiqet të largojë vëmendjen nga dështimet e tij politike.

Mesdheu Lindor

Greqia ka kontestuar kërkimin e Turqisë për energji në Mesdheun Lindor, duke u përpjekur të bllokojë territorin detar turk të bazuar në ishuj të vegjël pranë bregdetit turk.

Turqia, vend me vijën më të gjatë bregdetare në Mesdhe, ka dërguar anije të shpimit për të eksploruar energji në ndarjen e saj kontinentale, duke deklaruar se Turqia dhe Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) kanë të drejta në rajon.

Zyrtarët turq thonë se dialogu për ndarjen e këtyre burimeve në mënyrë të drejtë do të ishte një fitore për të gjitha palët.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.