Aysu Biçer
29 korrik 2026•Përditësim: 29 korrik 2026
Gjysma e Anglisë është shpallur zyrtarisht në gjendje thatësire pas reshjeve rekord të ulëta dhe temperaturave të larta të zgjatura, njoftoi Agjencia Britanike e Mjedisit, transmeton Anadolu.
Shtatë rajone janë tashmë zyrtarisht në thatësirë: East Anglia; Hertfordshire dhe e gjithë Londra; Lugina e Temzës; Hampshire dhe Ishulli Wight; Devon dhe Cornwall; West Midlands; si dhe Wessex, që përfshin Dorset, Somerset, Wiltshire dhe South Gloucestershire.
Njoftimi vjen në kohën kur vala e katërt e të nxehtit këtë vit pritet të arrijë kulmin të mërkurën, me temperatura që parashikohen të arrijnë deri në 35 gradë Celsius.
Agjencia Britanike e Sigurisë Shëndetësore (UKHSA) ka lëshuar alarm portokalli për rrezikun nga nxehtësia për rajonet East Midlands, East of England, South East dhe Londër.
Alarmi do të mbetet në fuqi deri të enjten, ndërsa agjencia paralajmëroi se rritja e temperaturave mund të shtojë rreziqet për shëndetin, veçanërisht për grupet më të cenueshme.
Kushtet e thata pasojnë thatësirën e verës së kaluar, ndërsa Mbretëria e Bashkuar po përballet me fenomene gjithnjë e më ekstreme të motit, të nxitura nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, kryesisht për shkak të djegies së lëndëve djegëse fosile.
Një vlerësim i Shërbimit Meteorologjik Britanik (Met Office) paralajmëroi se zjarret mund të bëhen “jashtëzakonisht të rënda” nëse shpërthejnë në pjesë të Londrës, juglindjes dhe lindjes së Anglisë për shkak të motit të nxehtë dhe të thatë.
Këshilli Kombëtar i Shefave të Zjarrfikësve (NFCC) njoftoi se shërbimet emergjente në Angli dhe Uells kanë ndërhyrë deri tani në 706 zjarre pyjore gjatë vitit 2026, ndërsa vetëm nga 16 deri më 28 korrik janë regjistruar 208 incidente.
Sipas këshillit, këto shifra, të cilat nuk përfshijnë zjarret në pjesë të tjera të Mbretërisë së Bashkuar, si një zjarr i madh në rajonin Cairngorms të Skocisë, tregojnë “se sa shpejt mund të shtohet aktiviteti i zjarreve pyjore gjatë periudhave të gjata me mot të nxehtë dhe të thatë”.