Bota

AA thirrje agjencive evropiane të shfaqin më shumë ndjeshmëri ndaj tragjedisë në Siri

Metin Mutanoğlu, kryeredaktor i përgjithshëm dhe zëvendësdrejtor i AA-së, tha se agjencitë evropiane të lajmeve kanë përgjegjësi të madhe për ta reflektuar deri te opinioni evropian dramën që po ndodh në Siri

Şerife Çetin  | 20.09.2019 - Përdıtësım : 22.09.2019
AA thirrje agjencive evropiane të shfaqin më shumë ndjeshmëri ndaj tragjedisë në Siri

Pragë

Anadolu Agency (AA) u ka bërë thirrje drejtuesve të agjencive evropiane të lajmeve të shfaqin më shumë sensivitet në lidhje me tragjedinë humanitare në Siri.

Metin Mutanoğlu, kryeredaktor i përgjithshëm dhe zëvendësdrejtor i AA-së, i cili foli në Asamblenë e Përgjithshme të Aleancës Evropiane të Agjencive të Lajmeve (EANA) që po mbahet në kryeqytetin e Çekisë, Pragë, tha se qyteti i Idlibit në Siri së fundmi ka qenë shënjestër e bombardimeve të rënda nga forcat e regjimit sirian dhe se rajoni po përballet me një valë të re të migrimit.

Mutanoğlu theksoi që edhe pse dhjetëra mijëra civilë kanë braktisur shtëpitë e tyre si pasojë e këtyre sulmeve, mediumet evropiane nuk janë marrë sa duhet me çështjen, duke shtuar se kjo dramë nuk duhet të jetë çështje interesi vetëm për Turqinë, por edhe për Evropën.

Ai u shpreh se EANA ka përgjegjësi të madhe për ta reflektuar deri te opinioni evropian dramën që po ndodh në Siri.

Nëse komuniteti ndërkombëtar nuk shfaq ndjeshmërinë e duhur, vazhdoi Mutanoğlu, atëherë Turqia dhe e gjithë Evropa do të përfshihen nga një fluks i refugjatëve.

Mutanoğlu apeloi deri te EANA që të tregojë më shumë përpjekje për ta aktualizuar në agjendën botërore krizën humanitare në Siri.

Më tej në fjalën e tij, Mutanoğlu rikujtoi se AA tashmë ka organizuar një vizitë në Siri me editorët dhe drejtuesit e 13 gjuhëve në të cilat funksionon agjencia, duke shtuar se me këtë vizitë gazetarët kishin mundësi ta shohin drejtpërdrejt dramën siriane.

Ndryshe, Asambleja e Përgjithshme dhe Konferenca treditore e EANA-s, e cila përfundoi sot, kësaj radhe u organizua nga Agjensia Çeke e Lajmeve (CTK) në Pragë me titullin "Inteligjenca Artificiale: Mundësitë, kërcënimet dhe perspektivat afatgjata për strategjinë e agjencive të lajmeve".

Gjithsej 50 drejtues nga 27 vende morën pjesë në këtë aktivitet, duke përfshirë Mutanoğlu-n dhe editorin e departmentit të AA-së për lajmet e Evropës, Yusuf Kaya.

EANA shërben si një platformë profesionale për të rritur bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit midis agjencive evropiane të lajmeve, duke mbajtur konferenca çdo vit, në të cilat diskutohen problemet dhe perspektivat e ardhshme.

EANA u themelua në 21 Gusht të vitit 1956 së bashku me një konferencë mbi teknologjinë e re të mediave të mbajtur në Strasburg të Francës.

Themeluesit e saj ishin agjencitë e lajmeve të Evropës Perëndimore, AA dhe Tanjug (ish-Jugosllavi). Në vitin 1970, në këtë union u ftuan të bashkohen edhe agjencitë prapa të ashtuquajturës "perdeja e hekurt".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın