Bota

AA siguron dokumente që tregojnë se inteligjenca franceze kishte njohuri se 'Lafarge' financonte DEASH-in

Dokumentet tregojnë se agjencitë franceze të inteligjencës për të marrë lajme nga rajoni shfrytëzuan rrjetin e lidhjeve të kompanisë Lafarge, bashkëpunimin e saj me grupet terroriste në Siri dhe takimet

Ahmet Gençtürk, Dilan Pamuk, Gözde Bayar   | 07.09.2021
AA siguron dokumente që tregojnë se inteligjenca franceze kishte njohuri se 'Lafarge' financonte DEASH-in

Ankara

Anadolu Agency (AA) ka siguruar dokumente që zbuluan se kompania gjigante e çimentos Lafarge i informonte vazhdimisht agjencitë e inteligjencës franceze për lidhjet e saj me grupin terrorist DEASH.

Dokumentet zbulojnë se kompania Lafarge, e cila u akuzua për "bashkëpunim në krim kundër njerëzimit" për financimin e grupit terrorist DEASH për të vepruar në Siri, kishte lidhje me DEASH-in dhe se inteligjenca franceze ishte në dijeni të kësaj.

Dokumentet tregojnë se agjencitë franceze të inteligjencës për të marrë lajme nga rajoni shfrytëzuan rrjetin e lidhjeve të kompanisë Lafarge, bashkëpunimin e saj me grupet terroriste në Siri dhe takimet. Ata gjithashtu zbuluan se inteligjenca franceze nuk e paralajmëroi kompaninë se po kryenin një krim.

Kompania kërkoi mbështetje nga agjencitë franceze të inteligjencës

Sipas dokumenteve zyrtare franceze, marrëdhëniet midis kompaninsë Lafarge dhe agjencive të inteligjencës filluan më 22 janar të vitit 2014, kur drejtori i sigurisë së kompanisë, Jean-Claude Veillard, i dërgoi një e-mail drejtorisë së inteligjencës së Ministrisë së Punëve Brendshme.

Veillard në e-mail tha se kompania duhet të mbajë marrëdhënie me "aktorët lokal" për të qenë në gjendje të vazhdojë operacionet e saj në Siri. Duke përmendur lajmet negative që u shfaqën në media për kompaninë, ai pyeti nëse drejtuesit dhe selia e kompanisë ishin nën kërcënim.

Oficeri i inteligjencës, në përgjigje, njoftoi Velliard-in për datën kur ata do të trajtojnë çështjen.

Inteligjenca franceze përfiton nga kompania Lafarge

Pas diskutimeve skandaloze lidhur me marrëdhëniet e organizatës terroriste me kompaninë Lafarge në Francë dhe reflektimit e çështjes në gjykatë, oficeri i inteligjencës me emrin e koduar 'AM 02' u paraqit në gjykatë më 18 nëntor të vitit 2018.

Sipas regjistrimit të deklaratës, oficeri pranoi se kompania Lafarge ishte burimi i tij i informacionit në Siri.

Oficeri i inteligjencës i tha gjykatësit se si shërbimet sekrete franceze përfituan nga kompania Lafarge.

Në regjistrime oficeri i inteligjencës nuk përjashtoi DEASH-in, duke theksuar se kompania Lafarge në vitet 2012-2014 dërgoi çimento për të gjitha grupet e armatosura në Siri, përfshirë Frontin al-Nusra.

"Ne iu afruam situatës thjesht në mënyrë oportuniste, duke përfituar nga puna e vazhdueshme e kompanisë Lafarge", tha oficeri i inteligjencës në gjykatë.

Inteligjenca franceze ishte në dijeni se kompania Lafarge siguronte çimento për grupin terrorist DEASH

Detajet e dërgimit të çimentos organizatës terroriste DEASH u diskutuan në një letërkëmbim të 1 shtatorit të vitit 2014 midis Veillard-it dhe inteligjencës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Francës.

Ishte e qartë se shteti francez ishte në dijeni të marrëdhënieve të kompanisë Lafarge me organizatën terroriste në atë kohë, të cilat mund të nxirren nga deklarata e inteligjencës franceze, ku thuhet: "A mund të jepni më shumë detaje në lidhje me çimenton që i dërguat DEASH-it?"

Disa dokumente të siguruara nga AA tregojnë se vetëm gjatë viteve 2013 dhe 2014 ka pasur më shumë se 30 takime midis kompanisë Lafarge dhe shërbimeve të inteligjencës franceze, të asaj të jashtme dhe të asaj ushtarake franceze.

Me çimenton e dërguar dihet se DEASH ka ndërtuar strehimore të fortifikuara dhe rrjete tuneli kundër fuqive të koalicionit të udhëhequra nga SHBA-ja.

Kompania Lafarge i përcillte informacionet në terren inteligjencës franceze

Në përgjigje të akuzave, Veillard dha dëshmi në polici më 30 nëntor të vitit 2017.

Sipas deklaratës së regjistruar të siguruar nga AA, ai u përpoq të dëshmonte se kishte informuar shtetin francez dhe institucionet e inteligjencës për gjithçka që bëri.

Informacionet në lidhje me takimet, kushtet në terren, si dhe spekulimet që drejtori i sigurisë dëgjoi ishin në shtojcat e procesverbalit të deklaratës.

U zbulua se Veillard përcolli informacione nga terreni në lidhje me përplasjet dhe ekuilibrat ushtarake midis grupeve të armatosura.

Në shtojcat u përfshi dhe një shënim i shkruar me dorë nga Veillard, i cili "iu dërgua inteligjencës së jashtme franceze".

Fati juridik

Raportet të cilat pretendojnë se kompania Lafarge financoi rregullisht DEASH-in gjatë luftës civile siriane u shfaqën në Francë në vitin 2016.

Sipas mediave franceze, kompania gjithashtu furnizoi me materiale dhe karburant organizatën terroriste që ajo të vazhdojë aktivitetet e saj në rajonin Celibiye të Sirisë.

Në vitin 2017, derisa kompania pranoi se kishte bërë pagesa për grupet e armatosura në Siri, ajo mohoi akuzat për "bashkëpunim në krimet kundër njerëzimit".

Pas hetimeve, tetë menaxherë, përfshirë dy oficerë të rangut të lartë, u akuzuan për financim të terrorizmit dhe bashkëpunim në kryerjen e krimeve kundër njerëzimit.

Akuza për "bashkëpunim në krimet kundër njerëzimit" u hoq në nëntor të vitit 2019.

Si përgjigje, organizatat joqeveritare e çuan çështjen në Gjykatën Supreme Franceze, e cila ende nuk ka vendosur për këtë çështje.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın