BALLKANI

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut: Jehona e votuesve deri në ora 17 është mbi 41 për qind

Kreu i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, tha se në institucionin që ai drejton kanë arritur informacione se në disa vendvotime nuk është votuar me përdorimin e këtyre pajisjeve dhe se kjo mënyrë e votimit është "paligjshme"

Abdulbesar Ademi   | 17.10.2021
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut: Jehona e votuesve deri në ora 17 është mbi 41 për qind

Shkup

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ka bërë të ditur se në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut jehona e votuesve deri në ora 17:00 nga 73,13 për qind e të dhënave të përpunuara është 41,38 për qind, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në këto zgjedhje për herë të parë po përdoren pajisje për identifikimin e gjurmëve të gishtërinjve të votuesve. Kreu i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, në konferencën e rregullt për media tha se në institucionin që ai drejton kanë arritur informacione se në disa vendvotime nuk është votuar me përdorimin e këtyre pajisjeve dhe se kjo mënyrë e votimit është "paligjshme".

"Morëm informacione se disa anëtarë të bordeve zgjedhore kanë ndaluar votimin me pajisje për identifikimin e gjurmëve të gishtërinjve. Këta janë vendime të paligjshme. Rekomandojmë të vazhdojnë të votojnë me pajisjet, në të kundërtën votimi do të duhet patjetër të anulohet, ndërsa personat të sanksionohen", tha Dashtevski.

Kreu i KSHZ-ë u apeloi te kryetarët e qendrave të votimit të votohet vetëm me pajisjet e identifikimit të gjurmëve të gishtërinjve dhe nëse është e nevojshme të zgjatet orari i votimit, por në asnjë mënyrë të evitohen këto pajisje. Ai njoftoi se KSHZ-ja ka marrë vendim për të vazhduar votimin pa përdorimin e këtyre pajisjeve vetëm në gjashtë vendvotime në mbarë territorin e vendit.

Gjatë ditës është raportuar se procesi i votimit kësaj radhe po zhvillohet më ngadalë dhe se në vendvotime po krijohen radhë për shkak të vështirësive me pajisjet për identifikimin e gjurmëve të gishtërinjve, që po përdoren për herë të parë në këto zgjedhje. Sipas autoriteteve, një pjesë e gjurmëve të gishtërinjve të siguruara nga institucionet përkatëse janë me kualitet të dobët dhe identifikimi i tyre vijon më ngadalë.

Raundi i parë i zgjedhjeve të shtata lokale në Maqedoni po realizohet në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit, ndërsa raundi i dytë është caktuar dy javë më vonë, gjegjësisht më 31 tetor.

Në këto zgjedhje lokale garojnë gjithsej 299 kandidatë për kryetarë komunash dhe 572 lista me gjithsej 10.532 kandidatë për këshilltarë komunalë.

Ndërkohë, përqindjen e daljes së votuesve në zgjedhje në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut, si dhe në komunat përkatëse, mund ta ndiqni në faqen e KSHZ-së 'https://rezultati.sec.mk/mk/mayr/t2'.

Këto janë zgjedhjet e shtata lokale në Maqedoninë e Veriut në të cilat do të zgjidhen udhëheqësit e rinj lokalë për katër vitet e ardhshme. Zgjedhjet e fundit lokale në vend u mbajtën në vitin 2017.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın