BALLKANI

Zbulohet në Prishtinë shtatorja e legjendës së futbollit Fadil Vokrri

Kurti tha se Fadil Vokrri kishte një karrierë brilante, ku përkundër sfidave në kohën e ish-Jugosllavisë ai bashkë me sportistë kosovarë të tjerë i rezistuan shtypjes së atëhershme dhe arritën ta mbajnë gjallë sportin në Kosovë

Agim Sulaj   | 23.07.2021
Zbulohet në Prishtinë shtatorja e legjendës së futbollit Fadil Vokrri Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Në Prishtinë është bërë përurimi i shtatores së legjendës së futbollit Fadil Vokrri para hyrjes zyrtare në stadiumin e quajtur po ashtu me emrin “Fadil Vokrri”, raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia, e cila u zhvillua nën organizimin dhe protokollin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u mbajt pikërisht në ditën kur ish-futbollisti Vokrri do t’i mbushte 61 vjet.

Në ceremoni morën pjesë udhëheqës të lartë të institucioneve të Kosovës, përfaqësues të institucioneve të sportit në vend, familja dhe miq të Fadil Vokrrit dhe sportdashës të tjerë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Fadil Vokrri kishte një karrierë brilante, ku përkundër sfidave në kohën e ish-Jugosllavisë, ai bashkë me sportistë kosovarë të tjerë i rezistuan shtypjes së atëhershme dhe arritën ta mbajnë gjallë sportin në Kosovë.

Kurti tha se shtatorja e Vokrrit, i cili u shpall futbollisti më i mirë në ish-Jugosllavi, duhet të shërbejë pikërisht edhe si kujtim për sfidat që kaloi ai.

“Edhe kjo shtatore këtu është ai moment kur Fadil Vokrri e merr topin para vijës së 16 metërshit me shikimin tek këmbët e lojtarëve kundërshtarë dhe me shumë gjasa sa herë që ja mësynte e hynte në 16 metërsh bëhej ose gol ose penalti”, tha Kurti.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, tha se Fadil Vokrri ishte mbreti i fushës së gjelbër.

Ademi tha se Vokrri si personalitet ka qenë më shumë se sportist, ndërsa ndikimi i tij ka dalë në pah kur Kosova u anëtarësua në UEFA dhe FIFA në vitin 2016, gjatë kohës sa Vokrri drejtonte FFK-në.

Ndërkaq, i biri i Fadil Vokrrit, Gramos Vokrri, duke folur në emër të familjes, tha se bashkimi i njerëzve të fushave të ndryshme, qoftë nga sporti, politika e të tjerë, ka qenë mesazhi që gjithmonë e ka synuar futbollisti i ndjerë.

“Le të shërbejë kjo shtatore si mesazh për gjeneratat e reja se me punë, angazhim dhe vullnet, mund të arrihet gjithçka. Ky stadium, kjo kombëtare kjo federatë është një realitet i padiskutueshëm pikërisht falë këtij mentaliteti”, tha ai.

Pas ceremonisë së zbulimit të shtatores, nën organizim të FFK-së do të zhvillohet turneu me rastin e ditëlindjes së 61-të të legjendës së futbollit Fadil Vokrri. Në ndeshjen e pare do të luajnë veteranët e dy skuadrave në të cilat ka luajtur Vokrri: Llapi dhe Prishtina. Më pas, në fushën e gjelbër do të zbresin disa prej emrave më të shquar të futbollit mbarëkombëtar, pasi do të përballen veteranët e futbollit të Kosovës dhe ata të Shqipërisë.

Fadil Vokrri u lind më 23 korrik të vitit 1960 në Podujevë ndërsa ndërroi jetë më 9 qershor të vitit 2018 në Prishtinë. Me një karrierë të bujshme në futbollin vendor dhe ndërkombëtarë Vokrri ka bartur fanellën e disa ekipeve të mëdha të njohura, përfshirë atë të Fenerbahçes nga Turqia.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın