BALLKANI

Zaev: 3.000 denarë shtesa rinore për të rinjtë që punojnë në prodhimtari

Zaev ka promovuar masën qeveritare të quajtur "Shtesa rinore", përmes së cilës të rinjtë deri në moshën 23-vjeçare, përveç pagës, do të përfitojnë mjete shtesë nga institucionet shtetërore

Abdula Berisha  | 22.11.2019 - Përdıtësım : 23.11.2019
Zaev: 3.000 denarë shtesa rinore për të rinjtë që punojnë në prodhimtari ( Abdula Berisha - Anadolu Agency )

Shkup

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska dhe përfaqësues të tjerë të agjencive shtetërore, kanë vizituar një fabrikë të përpunimit të mishit ku kanë promovuar masat e reja qeveritare të dedikuara për të rinjtë, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për masën në fjalë, Zaev tha se bëhet fjalë për një vendim të Qeverisë të miratuar gjatë mbledhjes së 164-të qeveritare ku është miratuar propozim-ligji për shtesa rinore që është propozuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Zaev tha se me shtesat rinore inkurajohet punësimi i të rinjve në sferat e ndryshme të prodhimtarisë, me ç'rast një shumë prej 3.000 denarësh (rreth 50 euro) në bazë mujore do t'u paguhen të rinjve të moshës deri 23-vjeçare që kanë kryer shkollimin e mesëm, e që janë të angazhuar në ndonjë kompani prodhuese.

"Çdo i ri që punon në prodhimtari ose dëshiron të punojë në prodhimtari, përpos pagës së tij dhe kontributeve, nga shteti përmes Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale do të marrë një shumë shtesë të të hollave prej 3.000 denarësh", tha Zaev.

Ministrja Carovska tha se sipas të dhënave të tyre, të rinjtë parapëlqejnë ndonjë veprimtari tjetër para prodhimtarisë, duke theksuar se kjo gjë duhet të ndryshojë.

"Ekonomia lëviz nga kompani të këtilla që janë të brendshme, të fuqishme dhe që u ofrojnë të rinjve një jetë cilësore. Pikërisht për këtë, ne si Qeveri, me respekt të veçantë për kryeministrin Zaev, por edhe për Agjencinë e Punësimit, vërtetë po përpiqemi që përmes masave operative të punësimit, kësaj radhe edhe me një ligj të veçantë, për të investuar tek të rinjtë", tha Carovska.

Drejtoresha e Agjencisë së Punësimit, Biljana Jovanovska, e cila po ashtu ishte prezente, sqaroi se në bazë të të dhënave që i ndjek institucioni që e udhëheq ajo, për momentin janë rreth 4.000 të rinj që plotësojnë kushtin për të përfituar nga shtesat rinore, duke shtuar se numri përfundimtar do të dihet pas pranimit të aplikimeve.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.