BALLKANI

Xhaferi: Rekomandimet e Komisionit të Venecias janë jodetyruese

Ai, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse Ligji në fjalë do të gjendet sërish në rend dite të Kuvendit tha se rekomandimet e Komisionit të Venecias janë jo-obliguese

Husamedin Gina   | 11.12.2019
Xhaferi: Rekomandimet e Komisionit të Venecias janë jodetyruese

Shkup

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, theksoi se rekomandimet e Komisionit të Venecias lidhur me Ligjin për përdorimin e gjuhëve janë jo-obliguese dhe nuk do të thotë se me automatizëm Kuvendi duhet të ndërmarrë masa përkatëse, raporton Anadolu Agency (AA).

Këto komente kryeparlamentari Xhaferi i bëri pas konferencës me temë “Reformat në sektorin e inteligjencës në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

Ai, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse Ligji në fjalë do të gjendet sërish në rend dite të Kuvendit tha se rekomandimet e Komisionit të Venecias janë jodetyruese.

“Rekomandimet e Komisionit të Venecias janë jo-obliguese dhe nuk do të thotë se me automatizëm Shtëpia Ligjvënëse duhet të ndërmarrë masa përkatëse, gjegjësisht aktivitete mbi rekomandimet”, theksoi Xhaferi.

Lidhur me rekomandimet se një pjesë e institucioneve nuk janë në mundësi që për momentin t’i zbatojnë të gjitha aspektet e Ligjit për përdorimit të gjuhëve, ai tha se kjo është punë e institucioneve dhe se çdo institucion është i obliguar të sigurojë infrastrukturë për t’i zbatuar ligjet ashtu siç i ka sjellë Shtëpia Ligjvënëse.

Xhaferi po ashtu theksoi se deputetët e VMRO-DPMNE-së kanë mundësi procedurale të parashtrojnë propozim për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, por duhet të kenë parasysh se për këtë nevojitet shumicë e dyfishtë, gjegjësisht shumicë të Badenterit, të cilën e përbëjnë deputetët jo shumicë, më së shumti deputetë shqiptarë, ndërsa për këtë tek ata nuk ka disponim.

Rikujtojmë se javën e kaluar zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështjet Evropiane, Bujar Osmani, mbajti konferencë shtypi për seancën dhe konstatimet e Komisionit të Venecias lidhur me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, duke theksuar se “me definimin e fundit të këtij ligji u bë balancimi në marrëdhëniet maqedono-shqiptare në shtet dhe se çdo zhvendosje e njëanshme në këtë balancë do të hap një rreth magjik dhe spirale e cila do të na largojë nga rrugë për të cilën jemi nisur”.

Po ashtu, Osmani tha se Ligji për gjuhët është “zgjidhja e kompromistë që është arritur, balance i arritur në raportet dhe duhet si Qeveri dhe si shtet të bëjmë plane aksionale me qëllim ta lehtësojmë implementimin”.

“Të gjitha vërejtjet e Komisionit të Venecias t’i implementojmë në plane aksionale dhe në krijimin e kapaciteteve. Ky është qëndrimi të cilin sot e ndaj dhe konsideroj se kjo është zgjidhja më e mirë”, tha Osmani.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın