BALLKANI

Xhaferi: Ligji për sëmundjet ngjitëse në rend dite më 27 tetor

Kryeparlamentari Xhaferi sot mbajti takim joformal me përfaqësuesit e mediave, në të cilën foli për aktivitetet rrjedhëse dhe të ardhshme të Kuvendit

Husamedin Gina   | 22.10.2020
Xhaferi: Ligji për sëmundjet ngjitëse në rend dite më 27 tetor Foto: Husamedin Gina / AA Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi (foto)

Shkup

Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet ngjitëse pritet të jenë në rend dite në seancën kuvendore të caktuar më 27 tetor, tha kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeparlamentari Xhaferi sot mbajti takim joformal me përfaqësuesit e mediave, në të cilën foli për aktivitetet rrjedhëse dhe të ardhshme të Kuvendit.

Xhaferi duke theksuar se për shkak të mosmarrëveshjeve të partive, ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet ngjitëse në vend se në seancën kuvendore më 20 tetor janë caktuar në seancën e ardhshme e cila do të mbahet më 27 tetor.

“Më 20 tetor para seancës, grupet parlamentare shprehën mospajtime në qëndrime rreth Ligjit dhe për këtë arsye nuk e dorëzova për vendimarrje para deputetëve”, tha Xhaferi, duke shtuar se rreth pajtueshmërisë së qëndrimeve mes grupeve parlamentare do të mund të mësohet në koordinimin e radhës me grupet parlamentare e cila do të mbahet të hënën.

Në pyetjen e gazetarëve nëse deputetëve do t'u thotë se sa e rëndësishme është miratimi i Ligjit për mbrojtjen e popullatës, Xhaferi tha se nuk ka nevojë t’i rikujtojë për vetëdijen dhe ndërgjegjen lidhur me nevojën e miratimit të Ligjit.

Masat e reja për mbrojtjen e popullatës parashikojnë ndalesën e tubimeve publike pas orës 22:00 si dhe të grumbullimeve familjare me më shumë se 4 mysafirë dhe mbajtjen e detyrushme të maskës në ambient të hapur.

Kryetari i Kuvendit Xhaferi, lidhur me informacionet në media për furnizimin e 100 kompjuterëve për deputetë, tha se kompjuterët janë furnizuar për shërbimet në Parlament, e jo për deputetët.

Po ashtu shtoi se furnizimi i kompjuterëve nuk ka asnjë lidhje me mbajtjen e seancave online të Kuvendit dhe se janë furnizuar në kuadër të projektit me Ambasadën zvicerane dhe Institutin demokratik nacional për punë ndërkombëtare (NDI).

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.