Vuçiq: Mbyllet rafineria serbe e naftës, SHBA-ja nuk dha licencë
SHBA-ja vendosi sanksione ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) më 9 tetor për shkak të pronësisë së saj ruse
Sarajevë
Serbia nuk ka marrë leje që Industria e Naftës së Serbisë (NIS) të vazhdojë funksionimin, pas së cilës lejoi mbylljen e rafinerisë në Pançevë, tha sot presidenti serb, Aleksandar Vuçiq pas një takimi me ekipet përgjegjëse për stabilitetin dhe sigurinë energjetike të vendit, të mbajtur në Beograd, raporton Anadolu.
Ai tha se ministrja e Minierave dhe Energjisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq do të informojë sot NIS-in se "nuk kemi asnjë indikacion se amerikanët do të japin licencë për funksionimin e rafinerisë", gjë që, siç tha ai, do të çojë në ndërprerjen e funksionimit të rafinerisë në përputhje me vendimin e NIS-it.
"Nëse e bëjnë sot, nesër apo pasnesër është punë e tyre. Sigurisht që do ta bëjnë shpejt, sepse sot, ndërsa janë në fazën e ngrohtë, siç e quajmë ne, po humbasin 370 mijë euro në ditë dhe është punë e tyre kur duan ta mbyllin plotësisht rafinerinë", tha Vuçiq.
Ai shtoi se Serbia ka dhënë leje për mbylljen e rafinerisë duke thënë se "nuk mund t'i mashtrojmë partnerët tanë rusë me lajme të rreme".
Lidhur me sanksionet dytësore, Vuçiq tha se ato zbatohen për të gjithë sistemin e pagesave në Serbi ndërsa rezervat shtetërore të produkteve të naftës nuk do të shpërndahen përmes pikave të shitjes së NIS-it, sepse kjo do ta vinte të gjithë vendin nën sanksione.
Më 18 nëntor, Industria e Naftës e Serbisë (NIS) paraqiti kërkesë të re në Zyrën e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC) të Departamentit të Thesarit të SHBA-së për lëshimin e një licence të veçantë, e cila synon të mundësojë operacionet e pandërprera të kompanisë.
Licenca e mëparshme e datës 14 nëntor, e vlefshme deri më 13 shkurt 2026, miratoi negociatat midis aksionarëve dhe palëve të tjera të interesuara për ndryshimin e strukturës së pronësisë së NIS-it.
SHBA-ja vendosi sanksione ndaj NIS-it më 9 tetor për shkak të pronësisë së saj ruse.
