BALLKANI

Vuçiç takon të dërguarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor

Bashkëbiseduesit ranë dakord se bisedimet janë mënyra e vetme e drejtë për të zgjidhur çështjet e hapura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës si dhe për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme

Senita Sehercehajic   | 10.05.2022
Vuçiç takon të dërguarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor

Beograd

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka takuar sot të dërguarin special të Qeverisë Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin ekonomik dhe marrëdhëniet dypalëshe, integrimin evropian të Serbisë si dhe gjendjen rajonale dhe iniciativat për lidhjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç u bë e ditur në deklaratën pas takimit, Vuçiç theksoi se Serbia do të vazhdojë të ndjekë rrugën e saj evropiane edhe më intensivisht dhe shprehu pritjet që angazhimi i të dërguarit të posaçëm Sarrazin t'i japë shtysë shtesë bashkëpunimit ndërmjet Ballkanit Perëndimor, i cili do të kontribuojë ndjeshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Siç theksohet, Vuçiç ka thënë se Serbia, me qasjen e saj serioze dhe të përgjegjshme ndaj politikës rajonale, njihet si një partner i besueshëm dhe i përgjegjshëm në rajon, i përkushtuar ndaj dialogut politik dhe zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve rajonale në të gjitha fushat dhe i kushton rëndësi të madhe Procesit të Berlinit, bashkëpunimit, përmirësimit të procesit të pajtimit dhe tejkalimit të problemeve të trashëguara nga e kaluara si dhe forumin që mbështet integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor përmes projekteve dhe masave konkrete.

"Serbia është e angazhuar fuqishëm në të gjitha aktivitetet e organizuara në kuadër të Procesit të Berlinit ndërsa nisma 'Ballkani i Hapur' është një tjetër qasje proaktive e vendit tonë ndaj integrimit rajonal", tha Vuçiç në një deklaratë, duke shtuar se është e një rëndësie vendimtare që këto përpjekje të njihen në vetë Bashkimin Evropian, në mënyrë që të inkurajohen vendet e rajonit në rrugën evropiane.

Vuçiç tha se Gjermania është partneri më i madh tregtar i Serbisë në tregtinë e jashtme dhe se Serbia është e interesuar që të forcojë edhe më tej këtë bashkëpunim, pasi që gjithnjë e më shumë po profilizohet si një nga destinacionet më tërheqëse dhe më të sigurta të investimeve në botë.

Ai potencoi se Serbia mbështet zbatimin e plotë dhe të qëndrueshëm të Marrëveshjes së Dejtonit, por kundërshton “zgjidhjet e imponuara që nuk gëzojnë pëlqimin e të tre popujve përbërës, duke besuar se vendime të tilla nuk mund të çojnë në prosperitet dhe stabilitet në Bosnjë e Hercegovinë".

Bashkëbiseduesit ranë dakord se bisedimet janë mënyra e vetme e drejtë për të zgjidhur çështjet e hapura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës si dhe për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme. Vuçiç tha se pret mbështetje konstruktive për dialogun dhe gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi që do të mundësojë stabilitet të qëndrueshëm në rajon me zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe mbi të gjitha formimin e asociacionit të komunave serbe.

Në deklaratë thuhet se i dërguari i posaçëm Sarrazin theksoi se politika e zgjerimit dhe angazhimi për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë një nga prioritetet e politikës së jashtme gjermane në vitet e ardhshme, duke theksuar dëshirën për një angazhim më të fortë të të gjithë Unionit në rajon.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın