BALLKANI

Vuçiç: Janë dokumentuar kontakte të agjentit rus me pjesëtarë të ushtrisë serbe

Duke komentuar njoftimin e Policisë së Kosovës ku u publikuan fotot e dy të dyshuarve në rastin e vrasjes së Ivanoviçit, Vuçiç tha se këto janë studentët Ivan Dimitrijeviç dhe Millosh Radosavleviç nga Kosova

Bojana Stojanovic   | 22.11.2019
Vuçiç: Janë dokumentuar kontakte të agjentit rus me pjesëtarë të ushtrisë serbe

Beograd

Serbia nuk do të ndryshojë politikën e saj ndaj Rusisë dhe do të vazhdojë me politikën e saj të neutralitetit ushtarak si dhe të pavarësisë, deklaroi mbrëmë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas seancës së Këshillit për Siguri Kombëtare të Serbisë, e cila u thirr për shkak të një video-incizimi që u shfaq në opinion, ku shihet se si një agjent i inteligjencës ruse i jep para një zyrtari të Serbisë, Vuçiç tha se ky është nënkoloneli rus Georgi Kleban dhe koloneli në pension i ushtrisë serbe Z.K., dhe se incizimi është i datës 24 dhjetor 2018 dhe nuk është bërë nga inteligjenca serbe, por se ishte e njoftuar rreth kësaj.

Presidenti serb tha se është vëtetuar se Kleban tre herë u ka dhënë para pjesëtarëve të ushtrisë serbe dhe se ai nuk ndodhet më në territorin e Serbisë.

Ai shprehu bindjen se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ishte i njoftuar lidhur me aktivitetet, duke rikujtuar se Serbia ka marrëdhënie miqësore me këtë vend. Njëkohësisht, shtoi se ambasadorin e Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan Harçenko, gjatë takimit të djeshëm e ka pyetur: "Pse?".

Sipas tij, Serbia është përballur për disa vite me një ofensivë të theksuar të operimit të inteligjencave të ndryshme në territorin e vendit - operimin e inteligjencave të vendeve më të zhvilluara të botës, si dhe operimin e agjencive të vendeve rajonale, veprimtaria e të cilave është orientuar kundër interesave të Serbisë.

"Ekziston një presion i madh ndaj Serbisë nga anë të ndryshme se si të veprojë dhe çfarë politike të udhëheqë. Gjithçka që ka ndodhur vetëm se na ka forcuar pozitat e pavarësisë, mëvetësisë dhe bindjes së tillë në të ardhmen. Serbia është një vend i popullit të lirë. Kurrë nuk jemi pajtuar dhe nuk do të pajtohemi të lejojmë që të tjerët të na drejtojnë", ka thënë Vuçiç.

Ai njoftoi se në dy muajt e ardhshëm pret që para Parlamentit të dalë "akti i përgjithshëm gjithëpërfshirës juridiko-politik që do të ishte një konfirmim i plotë i neutralitetit ushtarak të Serbisë" dhe se çdo vit do të investohet gjithnjë e më shumë në "ushtrinë, policinë, inteligjencën dhe sektorin e kundër-zbulimit".

Vuçiç gjithashtu njoftoi se në periudhën e ardhshme do të ketë "më shumë veprime kundër pjesëtarëve të agjencive të ndryshme të inteligjencës, veprimet e të cilave kundër Serbisë janë provuar".

"Në ditët e ardhshme, rezultatet e veprimeve të ashpra do të jenë të dukshme për çdo qytetar të Serbisë, megjithëse disa vende, veçanërisht nga rajoni, do të reagojnë negativisht", tha ai.

Duke komentuar njoftimin e Policisë së Kosovës ku u publikuan fotot e dy të dyshuarve në rastin e vrasjes të Oliver Ivanoviçit, Vuçiç tha se këto janë studentët Ivan Dimitrijeviç dhe Millosh Radosavleviç nga Kosova, të cilët tashmë janë marrë në pyetje nga institucionet shtetërore serbe, të cilët i kishin sjellë prindërit e tyre.

"Kjo tregon se sa me joseriozitet i janë qasur gjithë kësaj dhe si duket e tërë kjo histori. Prandaj, Serbia i është qasur me shumë seriozitet një prej çështjeve kryesore, siç është vrasja e Ivanoviçit", tha ai.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.